Ftesë në Botërorin e Katarit dhe rinovim me Napolin. Frank Anguissa po shijon një nga momentet më të bukura të jetës së tij. Mesfushori kamerunas e ka nisur në mënyrë të shkëlqyer sezonin e dytë me ekipin që po dominon Serie A këtë sezon.
26-vjeçari u huazua nga Fulham te Napoli në verën e vitit 2021, teksa klubi italian bleu kartonin e tij për 15 milionë euro në verën që lamë pas. Anguissa numëron 3 gola dhe 5 asiste mes kampionatit dhe Champions League.
Performancat pozitive kanë ndikuar që presidenti De Laurentiis t’i dhurojë rinovimin e kontratës. “Luftëtari” afrikan ka firmosur deri në verën e vitit 2025, me opsionin e zgjatjes së bashkëpunimit deri në vitin 2027, e drejtë e Napolit ta ushtrojë.
Paga sezonale e mesfushorit ka shkuar nga 2.2 në 3 milionë euro duke përfshirë bonuset. Një rinovim që gëzon tifozët e zjarrtë të Napolit, të cilët kanë një vlerësim të madh për mesfushorin me tipare mbrojtëse.
Drejtuesit nuk ndalen dhe po punojnë për rinovimet me Amir Rrahmanin, sllovakun Stanislav Lobotka dhe kapitenin Giovanni Di Lorenzo. Napoli kryeson Serie A me 8 pikë më shumë se Lazio dhe Milani, ndërkohë që në Champions League do të sfidojë gjermanët e Eintracht Frankfurt për një biletë në çerekfinale.
