Connect with us

Hi, what are you looking for?

Premier League

Pas goleadës në Manchester, Tottenham kërkon suksesin ndaj West Ham

Për shumë arsye, një ndër ndeshjet që tërheq më shumë vëmendjen në javën e pestë në Premier League është sfida Tottenham Hotspur – West Ham United, një duel interesant ndërmjet dy ekipeve që ndahen nga vetëm një pikë në klasifikimin e përgjithshëm të kampionatit anglez. Mbi të gjitha bëhet fjalë për një derbi të Londrës. “Gjelat” mezi presin për t’iu rikthyer ndeshjeve të Premier League-s, pas triumfit mbresëlënës me shifrat 6-1, brenda në “Teatrin e Ëndrrave” ndaj një klubi si Manchester United.

Spurs po përjetojnë momente vërtet shumë të mira në këtë sezon dhe pas lehtësimit të kalendarit ekipi i Tottenham-it tani ka mundësinë për t’i marrë ndeshjet një e nga një. Gjërat janë qetësuar ndjeshëm dhe tani tifozët e shumtë të ekipit të mirënjohur londinez kanë besim se skuadra është në rrugën e duhur për të fituar trofeun e parë pas plot 13 vjetëve. Jose Mourinho ia doli mbanë më në fund për të bindur drejtuesit, me Daniel Levy-n në krye, për të bërë lëvizjet e nevojshme në merkato dhe për herë të parë pas shumë kohësh ekipi i Tottenham-it ka nga dy alternativa për çdo pozicion në fushën e lojës.

Ditën e premte skuadrës iu bashkua gjithashtu edhe futbollisti i ri i përfaqësueses së Uellsit, Joe Rodon. Ish-qendërmbrojtësi shtatlartë i Swansea-t i cili do të festojë 23-vjetorin e tij vetëm pas pak ditësh, firmosi pikërisht në afatin e fundit të mbylljes së merkatos, një kontratë 5-vjeçare me klubin londinez, për një shumë prej plot 11 milionë stërlinash. Në konferencën e tij për shtyp trajneri luzitan deklaroi se Gareth Bale do të ketë minutat e tij, sidoqoftë me shumë gjasa ylli uellsian do ta fillojë derbin nga stoli, megjithëse rastin për të luajtur ndonëse për vetëm pak minuta mund ta ketë gjithashtu edhe golashënuesi më i mirë i edicionit të fundit në kampionatin portugez, ish-sulmuesi brazilian i Benfikës Carlos Vinicius.

57-vjeçari nga Setubali shpjegoi për gazetarët se gjendja e lojtarëve është e mirë dhe shumë futbollistë kanë arritur të hedhin pas krahëve problemet fizike, gjithsesi të vetmit që nuk ja kanë dalë për të rikuperuar për këtë derbi janë mbrojtësi Japhet Tanganga dhe mesfushori Giovani Lo Celso. Vendasve iu mungojnë 2 pikë nga dueli me Newcastle United, në sfidën e fundit të “gjelave” në shtëpi, megjithatë gabimi i rëndë i gjyqtarit Peter Bankes në sekondat e fundit të takimit me “magpies” të paktën shërbeu për të ndryshuar krejtësisht, vlerësimin e kritereve për akordimin e një 11-metërshi në Premier League, në rastet e prekjes së topit me dorë në mënyrë të pavullnetshme, brenda zonës së rreptësisë.

Tottenhami doli shkëlqyeshëm nga një periudhë tepër e ngjeshur ku duhej të luante plot 8 ndeshje në harkun e vetëm 17 ditëve, megjithatë për fatin e mirë të Mourinho-s gjërat u lehtësuan disi, pas anulimit të derbit tjetër londinez me Leyton Orient në Kupën e Ligës, kompeticion ku sidoqoftë “spurs” ia dolën për të eliminuar Chelsea-n pas gjuajtjes së penalltive, duke u kualifikuar për në fazën çerekfinale të këtij aktiviteti, ku “gjelat” do të përballen në “Stoke – on – Trent” me klubin nga Championshipi Stoke City.

Në krahun tjetër “çekanët” nuk është se kanë ndryshuar shumë. Në Angli klubet e Premiership-it kishin luksin për të vazhduar merkaton me klubet e tjera në Football League, pra Championship, League One apo League Two deri ditën e premte dhe në fakt pikërisht në limit edhe drejtuesit e Wess Ham-it morën 25-vjeçarin algjerian Said Benrahma nga ekipi londinez i Championship-it Brentford, ndërkohë nga skuadra u transferua te Porto në formë huazimi braziliani Felipe Anderson.

Rikthehet në stol te West Ham-i pikërisht trajneri David Moyes, që humbi katër sfidat e fundit të “çekanëve”, pasi rezultoi pozitiv me virusin COVID-19, gjithsesi trajneri skocez gjen përballë kundërshtarin e tij më të fortë, portugezin Jose Mourinho me të cilin ka absolutisht bilancin më negativ në karrierë, 14 ndeshje në të gjithë kompeticionet pa provuar shijen e fitores. Përpara ndeshjeve të skuadrave përfaqësueses West Ham United po kalonte një formë të shkëlqyer, teksa mposhti 3-0 Leicester City-n jashtë fushe dhe “ujqërit” e Wolverhampton-it 4-0 brenda në kryeqytet.

Ndeshja do të zhvillohet në orën 17:30 në Tottenham Hotspur Stadium, gjithsesi “spurs” e nisin ndeshjen si favoritë, duke marrë parasysh faktin që “gjelat” kanë triumfuar në 4 nga 5 sfidat e fundit ndërmjet tyre, për më tepër më datë 23 nëntor të vitit të kaluar Jose Mourinho fitoi ndeshjen e tij të parë në stolin e Tottenham-it, brenda në stadiumin olimpik në Stratford, me rezultatin 3-2 pikërisht ndaj “çekanëve”.

Lajme të tjera

Champions League

Paris Saint Germain u mposht 2-3 në përballjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Barcelonës në “parkun e Princave”, megjithatë trajneri Luis...

Champions League

Manchester City dështoi te penalltitë përballë Realit të Madridit, duke i thënë lamtumirë Champions League. Rrugëtimi i kampionëve në fuqi u mbyll në çerekfinale,...

Eredivisie

Lajm i keq për tifozët e Vitesses, skuadër e Eredivisies. Përmes një njoftimi zyrtar për shtyp, KNVB (d.m.th. Federata Holandeze e Futbollit) njoftoi se...

Lajme

Një thashethem i bujshëm po mbush mediat rozë në Itali, teksa këtë herë protagonistë janë mesfushori amerikan i Juventusit, Weston McKennie dhe motra e...