Abissnet Superiore

Pas polemikave vjen ndeshja, Longo e Shkëmbi “sfidohen” në “Elbasan Arena”

Kukësi-Dinamo u bë e para ndeshje e këtij sezoni të Abissnet Superiores, e shtyrë për shkak të koronavirusit, teksa klubi verilindor raportoi për disa futbollistë të prekur, megjithatë dy skuadrat do të zbresin pasditen e sotme në terrenin e “Elbasan Arenës” për të bërë prezantimin e parë zyrtar për vitin e ri.

Pavarësisht dëshirës dhe përpjekjeve të Kukësit, për ta pritur ndeshjen në impiantin e ri, ekspertët e mirëmbajtjes së terreneve nuk dhanë miratimin dhe skuadra e Diego Longos zgjodhi sërish Elbasanin, për t’u përballur me dinamovitët.

Përballja në fushë është planifikuar të nisë në orën 16:45, por jashtë saj ka nisur prej ditësh, pasi pikërisht më 13 janar, tekniku i verilindorëve, Diego Longo akuzoi dinamovitët se kishin shkuar për të ndjekur seancat stërvitore të Kukësit dhe për të dekonspiruar planet e tij.

Për t’u bërë protagonist këtë herë, tekniku italian përdori një foto të drejtuesve dinamovitë, në kompleksin ku për fat të keq stërviten të dy skuadrat, Kukësi e Dinamo, por edhe Partizani, teksa përgjigj e Blendi Shkëmbit erdhi vetëm ditën e djeshme në konferencën për shtyp.

Duke ironizuar edhe me mbiemrin e tiij (iu referua si Lango), tekniku i Dinamos deklaroi se drejtuesit e klubit, por edhe ai bashkë me ta, ndodheshin atje për të kryer seancën e tyre stërvitore, që rastësisht atë ditë përkonte menjëherë pas asaj të Kukësit.

Megjithatë koha e betejës në distancë nëpërmjet deklaratave ka përfunduar, pasi tani është momenti që skuadrat në fushë të tregojnë se sa vlejnë, me Kukësin që do të kërkojë të përfitojë nga ndalja e Tiranës për t’u afruar me kreun.

Verilindorët janë favoritë në letër, duke parë edhe ecurinë në gjysmën e parë të sezonit, megjithatë te Dinamo presin shumë nga afrimet e reja, e veçanërisht nga Sabien Lilaj, një ekspert i mesfushës dhe kampionatit shqiptar, që mund të shtojë jo pak qetësinë e sigurinë në kampin blu.

Sfida Kukësi-Dinamo do të startojë në orën 16:45 në “Elbasan Arena” dhe do të vijë ekskluzivisht në ekranin e SuperSport 3, ku nuk do të mungojë as emisioni dedikuar futbollit shqiptar, “Gol pas Goli”.

Të Fundit

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency