Connect with us

Hi, what are you looking for?

Premier League

Përcaktohet kalendari, kampionati anglez rikthehet me supersfidën Man. City- Arsenal

Pas një shkëputjeje prej plot 100 ditësh kampionati anglez rikthehet për të plotësuar pjesën e mbetur të sezonit, pa praninë e spektatorëve dhe organizatorët kanë vendosur edhe shpërndarjen e ndeshjeve, duke përcaktuar madje oraret e sfidave në kalendar deri në fillimin e muajit korrik. Takimi i fundit i luajtur daton më 9 mars, një “monday night game” ku Leicester City mundi thellë 4-0 në “King Power Stadium” Aston Villa-n, sakaq pas ndërprerjes së gjatë për shkak të pandemisë së koronavirusit Premier League do të rifillojë aktivitetin më 17 qershor.

Gjithçka do të nisë me rikuperimin e dy sfidave të prapambetura të mërkurën në mbrëmje, Aston Villa – Sheffield United në orën 19:00 dhe Manchester City – Arsenal në 21:15, pas të cilave të gjitha skuadrat do të barazohen në klasifikimin e përgjithshëm me nga 29 ndeshje gjithsej. Në vijim prej aty do të mbeten edhe 9 javë të plota për t’u zhvilluar, apo e thënë ndryshe edhe 90 takime në total, gjithsesi drejtuesit ranë dakord gjithashtu edhe për shpërndarjen televizive ndërmjet rrjeteve të transmetuesve BBC, Sky Sports, BT Sport apo dhe Amazon Prime, kompania e njeriut më të pasur në planet Jeff Bezos, ndërsa në Shqipëri gjithçka do të përcillet si zakonisht drejtpërsëdrejti dhe ekskluzivisht në Digitalb, nëpërmjet kanaleve Supersport.

Java e 30 në Premiership do të startojë të premten në orën 19:00 me takimin Norwich City – Southampton, ndërsa takimi Tottenham Hotspur – Manchester United është nxjerrë pikërisht atë mbrëmje në orën 21:15, si dueli më i fortë i javës. Kalendari do të vazhdojë me katër takime ditën e shtunë, sfida që do të vijnë të shpërndara në bazë të orareve respektive, sidoqoftë bën përshtypje fakti që organizatorët kanë menduar që ta copëzojnë kalendarin deri në atë pikë sa 14 ndeshjet e para të kampionatit pas ndërprerjes së gjatë për shkak të virusit COVID-19 të luhen në orare të ndryshme.

Dita e shtunë do të fillojë në orën 13:30 me sfidën Watford – Leicester City dhe do të vijojë në orën 16:00 me takimin Brighton & Hove Albion – Arsenal, që do të ndiqet në program në orën 18:30 me duelin West Ham United – Wolverhampton Wanderers, ndërsa në mbrëmje në orën 20:45 është rezervuar ndeshja Bournemouth – Crystal Palace. Ditën e diel gjithçka starton në orën 15:00 me sfidën Newcastle United – Sheffield United, që do të pasohet nga takimi i orës 17:15 Aston Villa – Chelsea. Dueli i parafundit i javës do të zhvillohet të dielën në mbrëmje në orën 20:00 dhe bëhet fjalë për derbin e Merseyside Everton – Liverpool, ndërsa Java e 30 do të mbyllet me ndeshjen e së hënës në orën 21:00 Manchester City – Burnley.

Java e 31 do të vijojë radhën e ndeshjeve pa shkëputje dhe do të shtrihet në kohë në tre ditë, të martën, të mërkurën dhe të enjten. Fillimisht ditën e martë në orën 19:00 do të luhet takimi Brighton – Leicester, ndërsa në orën 21:15 derbi londinez Tottenham – West Ham. Ditën e mërkurë për herë të parë pas shumë kohësh do të luhen disa ndeshje njëkohësisht. Bëhet fjalë për orën 19:00 kur do të zhvillohen takimet Manchester United – Sheffield United, Neëcastle – Aston Villa, Norëich – Everton dhe Wolverhampton – Bournemouth, ndërsa në mbrëmje në orën 21:15 do të jetë koha për duelin Liverpool – Crystal Palace.

Ditën e enjte në orën 19:00 do të zhvillohen përsëri dy ndeshje njëherësh Burnley – Watford dhe Southampton – Arsenal, ndërsa java do të mbyllet me sfidën Chelsea – City në orën 21:15. Java e 32 është edhe java më e veçantë, pasi organizatorët kanë menduar që ta shpërndajnë në plot gjashtë ditë, duke nisur ditën e shtunë në orën 13:30 me takimin Aston Villa – Wolverhampton dhe përfunduar të enjten në mbrëmje.

Të shtunën, të dielën, të hënën dhe ditën e martë do të zhvillohet thjesht nga një takim, kështu që pjesa më e madhe do të luhet të mërkurën dhe të enjten, sidoqoftë kjo javë do të mbyllet ditën e enjte me ndeshjet Sheffield United – Tottenham dhe City – Liverpool, që do të zhvillohen respektivisht në orët 19:00 dhe 21:15. Pas këshillimit me forcat e ruajtjes së rendit fillimisht ishin plot gjashtë ndeshje që do të luheshin në fusha asnjanëse, ndërsa tani mbetet për t’u vendosur vetëm për dy ndeshjet që Liverpuli do të ketë jashtë fushe me rivalë të tillë si Everton dhe Manchester City.

Lajme të tjera

Champions League

Paris Saint Germain u mposht 2-3 në përballjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Barcelonës në “parkun e Princave”, megjithatë trajneri Luis...

Serie A

Momente frike gjatë Udinese-Roma, ndeshje ku Evan Ndicka u rrëzua në fushë në minutën e 69-të pasi u ndje keq. Mbrojtësi nga Bregu i...

Lajme

Një thashethem i bujshëm po mbush mediat rozë në Itali, teksa këtë herë protagonistë janë mesfushori amerikan i Juventusit, Weston McKennie dhe motra e...

Bundesliga

Pritjes i erdhi fundi. Bayer Leverkusen është zyrtarisht kampion i Bundesliga-s, me skuadrën e Xabi Alonso-s që bëri detyrën edhe në sfidën e javës...