Sabien Lilaj pritet t’i mungojë Skënderbeut minimalisht për një periudhë rreth 20 ditë. Mesfushori më i kompletuar i kampionatit shqiptar u ndal në momentin e tij më të mirë, pasi ishte projektuar për të qenë titullar në miqësoren e së hënës, që Shqipëria do të luajë ndaj Norvegjisë.
Trajneri Christian Panucci, edhe pse ende nuk ka bërë zyrtar formacionin, gjatë seancave stërvitore kishte provuar Sabien Lilajn në mesfushë tek titullarët, duke i besuar çdo goditje standarde. Por një rrëshqitje e 29-vjeçarit gjatë seancës stërvitore të së premtes, ka sjellë dëmtimit e tendinës së këmbës së djathtë.
Ekzaminimet e para tregojnë për një ropturë të pjesshme të saj dhe sipas mjekëve, numrit 88 të Skënderbeut do t’i duhen 2 deri në 3 javë për t’u rikuperuar. Sigurisht që ky dëmtim nuk është një lajm i mirë për kryesuesit e kampionatit dhe trajnerin Ilir Daja, pavarësisht diferencës së madhe që kanë krijuar me ndjekësit në renditje.
Sabjen Lilaj pritet t’i mungojë Skënderbeut në 3 ndeshjet e kampionatit, duke filluar nga fundjava e ardhshme me Vllazninë, për të vijuar ndaj Flamurtarit dhe Kamzës, ndërsa e sigurt është gjithashtu mungesa e tij edhe në sfidën e parë gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë ndaj vlonjatëve.
Në pikëpyetje mbetet sfida e kthimit e Kupës, pasi 3 javët e rikuperimit përfundojnë pikërisht ato ditë, ndërsa stafit do t’i duhet të verifikojë edhe gjendjen fizike të tij.