Featured

Përgatitjet për Ligën e Kombeve, vijnë edhe dy futbollistë të tjerë në grumbullim

Kombëtarja Shqiptare hyn në ditën e dytë të përgatitjeve në kuadër të ndeshjeve të edicionit të tretë të Ligës së Kombeve, teksa nën urdhrat e trajnerit Reja janë shtuar edhe dy prej futbollistëve të grumbulluar, që munguan dje.

Bëhet fjalë për Kristjan Asllanin, që mbërriti mbrëmë në Durrës dhe Marash Kumbullën, që pasi mbylli festimet për triumfin në Conference League me Romën, u rikthye në atdhe, për t’u vënë nën urdhrat e trajnerit Edi Reja.

Ky i fundit ka grumbulluar 26 lojtarë për këto ndeshje dhe ka lënë 9 të tjerë në listën e pritjes, teksa nga grupi i parë, nuk janë bashkuar ende me ekipin në Durrës sulmuesit Armando Broja dhe Giacomo Vrioni.

I pari është prekur nga koronavirusi dhe vetëm pasi të rikuperohet, do të bashkohet me skuadrën, ndërsa Vrioni është ende i angazhuar me skuadrën e tij austriake, Tirol, teksa nesër pasdite do të luajë ndeshjen e fundit, për të fluturuar më pas drejt Shqipërisë.

Krahas futbollistëve të skuadrës së parë, nën urdhrat e trajnerit Reja ishte sot edhe portieri i Kukësit dhe Shqipërisë U21, Angelo Tafas, i cili do të qëndrojë aty vetëm për t’u stërvitur, duke qenë se për ndeshjet e radhës trajneri italian ka grumbulluar Berishën, Selmanin dhe Kastratin.

Kuqezinjtë do të qëndrojnë në Durrës deri në mëngjesin e 4 qershorit, për të fluturuar më pas drejt Rejkjavikut, ku më 6 qershor do të përballen me Islandën vendase në ndeshjen e parë në grupin e Ligës së Kombeve.

Ndeshja e dytë e kuqezinjve do të jetë ndaj Izraelit në “Air Albania”, më 10 qershor, për t’u mbyllur më pas gjithçka me një miqësore ndaj Estonisë, sërish në Tiranë, por më 13 qershor.

Eventet Sportive në SuperSport

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency