Përjashtohet mundësia “Inter”/ Roma, gati të nisë punën për afrimin e Dybalas

Pas ndeshjes së fundit të Dybala-s në “Allianz Stadium” në barazimin 2-2 me Lazion, mediat italiane vazhdojnë ta lidhin futbollistin argjentinas me një transferim të mundshëm te Roma.
Interi nuk shihet më si favorit në garën për sulmuesin e Juventusit, të cilit i përfundon kontrata me “Zonjën e Vjetër” më 30 qershor dhe duke qenë se mes palëve nuk u gjet kompromisi për vazhdimësinë, argjentinasi u dha lamtumirën mbështetësve të tij në Torino, në ndeshjen e fundit të luajtur në shtëpi.
Dybala raportohet se u ka thënë disa tifozëve në stadium se nuk do t’i bashkohej kurrë Interit.
Kështu, “zikaltërit” e Simone Inzaghit nuk konsiderohen më si destinacioni i preferuar i Dybala-s.
Nga ana tjetër, Roma tashmë është favorit i fortë për të marrë 28-vjeçarin. Mbetet për t’u parë nëse Dybala do të shikojë tregun jashtë apo do të fokusohet në Itali me klubin kryeqytetas gati për të bërë një avancim.
