Connect with us

Hi, what are you looking for?

Tenis

Përmbysje fantastike ndaj Azarenkas, Osaka triumfon në US Open

Përgatiti: Alked Gjebrea

Naomi Osaka mundi në finale bjellorusen Victoria Azarenka, duke fituar për herë të dytë në karrierë turneun US Open. Një finale emocionuese që u zgjidh vetëm në setin e tretë, me japonezen që u bë tenistja e 31-të në historinë e Slamit Amerikan që ia del mbanë për ta fituar kompeticionin e përvitshëm në Shtetet e Bashkuara më shumë se një herë.

Një ndeshje e madhe, ku ish-numri 1 i botës dha më të mirën, madje për nga mënyra se si u zhvillua takimi u duk sikur Vika do ta mbyllte gjithçka shpejt e shpejt në vetëm dy sete, gjithsesi tenistja nipone arriti të përmbysë disavantazhin e një seti dhe të një game me break, duke u kurorëzuar me trofeun e tretë Slam në karrierë.

Dy tenistet zbritën në stadiumin më të madh në rruzull të këtij sporti pas një ecurie vërtet shumë të mirë. Numri 9 i botës Naomi Osaka eliminoi në gjysmëfinale në tre sete amerikanen Jennifer Brady, ndërsa numri 27 i klasifikimit të përgjithshëm WTA, Victoria Azarenka, përmbysi disavantazhin e setit hapës, për të mposhtur veteranen nga Shtetet e Bashkuara, Serena Williams, që e ka fituar plot 6 herë turneun e përvitshëm në Flushing Meadows. Tenistja me origjinë nga Haiti nga ana e babait zbriti në stadiumin “Arthur Ashe” pas 10 fitoreve radhazi, ndërsa tenistja bjelloruse në krahun tjetër u paraqit në fushën qendrore të Kompleksit Billie Jean King në Queens pas plot 11 fitoreve rresht. Pra të dyja këto teniste nuk kishin provuar ende shijen e humbjes, që pas rikthimit në fushë, pas ndërprerjes së gjatë për shkak të izolimit prej pandemisë së Koronavirusit, megjithëse për hir të së vërtetës Osaka dhe Azarenka duhej të ishin përballur ndërmjet tyre edhe në finalen e turneut Western & Southern Open, dy javë më herët, po në Flushing Meadows – Corona Park, por 22-vjeçarja nga Osaka nuk u paraqit fare për arsye dëmtimi dhe Vika e fitoi kompeticionin, që duhej të ishte zhvilluar në Cincinnati, pa shkëmbyer asnjë top.

Të dyja tenistet shquhen për karakterin e tyre të fortë, prandaj edhe finalja pritej me shumë kuriozitet, për të parë se cila nga tenistet do të thyhej në fillim dhe do të shfaqte shenjat e para të nervozizmit. Në vitin 2018 në stadiumin “Arthur Ashe”, në finalen e parë Slam në karrierë Naomi Osaka ruajti qetësinë e duhur dhe tregoi një pjekuri të habitshme, për të përballuar presionin e jashtëzakonshëm që të pushton në mënyrë të kuptueshme, në një përballje me “mbretëreshën” e tenisit të femrave në këto dy dekadat e fundit, Serena Williams, sfidë të cilën tenistja japoneze e fitoi asokohe në mënyrë të pabesueshme në vetëm dy sete, megjithatë në finalen e edicionit të 134-t të US Open për femra tenistja aziatike ndoshta ndjeu mungesën e spektatorëve dhe u dominua në 9 game-t e para të ndeshjes dhe në setin hapës 22-vjecarja nipone ia doli të mbrojë shërbimet e veta thjesht në një rast të vetëm.

Në krahun tjetër 31-vjeçarja nga Minsku, pasi e theu tri herë në servis në setin e parë kundërshtaren e saj, siguroi gjithashtu epërsinë e një game me break edhe në setin pasardhës. Në fakt bilancin e përgjithshëm ndërmjet tyre e kryesonte 2-1 Naomi Osaka, për më tepër vitin e kaluar në përballjen e fundit mes tyre tenistja japoneze përmbysi disavantazhin e setit hapës, për ta eliminuar Vikën që në turin e dytë në Roland Garros, pas një dueli tepër të fortë që zgjati afërsisht tri orë.

Victoria Azarenka mori pjesë në finalen e saj të pestë në karrierë përsa i përket turneve të Grand Slamit dhe të parin në një aktivitet të tillë të rëndësishëm që nga viti 2013, kur u mund pikërisht në finale në US Open nga Serena Williams.

Ajo periudhë përfaqëson edhe kohën më të mirë në karrierë për tenisten bjelloruse, sepse përvec dy titujve në Australian Open në vitet 2012 e 2013 dhe ngjitjes në fronin botëror të tenisit për femra Azarenka u mund dy herë rresht në Flushing Meadows në finale me tri sete, pikërisht po në të njëjtët sezone nga motra e vogël Williams. Momenti i kthesës ishte pa dyshim game i tretë i setit të dytë, kur Victoria Azarenka në epërsinë e një seti dhe avantazhin 2-0 me game, teksa shërbente vetë në shifrat 40-30 për të fluturuar në rezultatin 3-0 u thye për herë të parë në shërbim, në të parën mundësi për break që krijoi tenistja japoneze, e cila është rritur në Shtetet e Bashkuara. Prej aty Osaka fitoi 10 nga 12 game-t e radhës, duke barazuar fillimisht gjendjen e seteve, për t’u shkëputur edhe 4-1 në setin final.

31-vjeçarja nga Minsku reagoi duke rekuperuar disavantazhin e atij game me break, megjithatë nga rezultati 30-15 për Azarenka-n në game-n e tetë Osaka fitoi 7 nga 9 pikët e fundit të takimit, për të mbyllur gjithçka me rezultatin 1-6, 6-3, 6-3 në diçka më pak se dy orë lojë.

Kështu US Open vazhdon të mbetet një turne i mallkuar për Vikën, që regjistroi disfatën e tretë në po kaq finale, ndërsa Naomi Osaka në krahun tjetër vijon të mbetet e pathyer në finalet e turneve Slam, duke fituar titullin e tretë në karrierë: 2 trofe në Flushing Meadows në vitet 2018 e 2020 si dhe atë të siguruar në Australian Open në vitin 2019. Përveç 2.000 pikëve të fituara në US Open tenistja japoneze largohet nga Slami Njujorkez gjithashtu edhe me çekun e majmë prej plot 3 milionë dollarësh.

 

 

Lajme të tjera

Kombëtare

Nga Stokholmi në Madrid. Trajneri Sylvinho nuk humb kohë aspak dhe fill pas miqësores Suedi-Shqipëri, ka fluturuar drejt kryeqytetit spanjoll për të ndjekur live...

Legjionarët

Napoli i dashuruar me shqiptarët. Pas Amir Rrahmanit, që është shndërruar në një shtyllë të mbrojtjes, klubi napolitan synon të sjellë në “Diego Armando...

Kombëtare

Armando Broja do të jetë zgjedhja e parë për Europianin. Mendon kështu gazetari dhe komentatori i mirënjohur, Ylli Aga, që në emisionin “Kuqezi” në...

Kombëtare

Një humbje djeg gjithmonë edhe në miqësore, megjithatë ajo e Shqipërisë ndaj Suedisë mund të shihet me shumë nota pozitive. Të mposhtur me rezultatin...