Edison Cavani dhe Neymar duket se do ta kenë të pamundur bashkëjetesën e tyre në Paris, edhe pas faljes publike të kërkuar nga braziliani. Pikërisht për këtë arsye, drejtuesit e PSG-së pritet t’i hapin rrugë transferimit të uruguajanit në një klub tjetër, që në muajin janar.
Duke parë situatën e Cavanit, është pikërisht Milani që kërkon të përfitojë dhe të rikthejë sulmuesin në Itali, atje ku u afirmua me fanelën e Palermos dhe Napolit. Kuqezinjtë tentuan të afrojnë Aubameyang ose Bellotti, gjatë merkatos së verës, por nuk ia dolën, ndaj Cavani paraqet një alternativë mjaft të mirë, për t’i dhënë Montella-s një qendërsulmues me peshë.
Gjithsesi, edhe pse në hapat e para, kjo tratativë nuk pritet të jetë aspak e lehtë, sepse krahas shifrës për kartonin, Milani duhet të bëjë llogaritë edhe me pagën e majme që uruguajani përfiton në kryeqytetin francez. Nga ana tjetër, veç kuqezinjve, Cavani ka zgjuar interesin edhe të disa klubeve angleze, të afta t’i ofrojnë Cavanit dhe PSG-së shumë më tepër sesa Milani.
