Me kokën lart dhe ton të vendosur. Gerard Pique, mbrojtësi i Barcelonës dhe Kombëtares Spanjolle foli në konferencën e shtypit në prag të ndeshjes me Shqipërinë, pas polemikave lidhur me referendimin për Pavarësinë e Katalunjës, dicka që Pique e dëshiron. Në Spanjë shumë kanë kërkuar që për këtë arsye Pique të lërë kombëtaren spanjolle, duke folur edhe për tension në brendësi të dhomave të zhveshjes me shokët e skuadrës.
“Dita e parë e grumbullimit nuk ishte e lehtë, pasi nuk është dicka e bukur kur shikon që njerëzit të vihen kundër. Të vërshëllehesh dhe të fyesh nga tifozët nuk është e bukur për askënd, por nëse do të ikja për dicka të tillë do të thoshte se do të isha dorëzuar”.
Pique nuk e vë në diskutim impenjimin e tij për Kombëtaren e Spanjës, as për ndeshjen me Shqipërinë.
“Jam këtu prej 15 vitesh, e konsideroj Kombëtaren një familje. Jam shumë krenar që të jem pjesë e skuadrës spanjolle dhe më lëndon fakti që dikush dyshon në lidhje me impenjimin tim. Per sa i perket marredhenies time me Ramos mund te them se është fenomenale”.
Në lidhje me polemikat e ditëve të fundit Pique u shpreh se respekton edhe ata që kanë opinion të ndryshëm nga ai, dhe ashtu duhet të bëjnë dhe të tjerët në lidhje me të, duke këmbëngulur se qëndron pro pavarësisë së Katalunjës.
“Unë mendoj se dikush që kërkon pavarësinë e Katalunjës mund të luajë në Kombëtaren Spanjolle, pasi nuk ka një Kombëtare Katalanase. Ne nuk jemi kundër Spanjës, përse dikush që do pavarësinë nuk mund të luajë me Spanjën? Jemi të gjithë njësoj, duam të luajmë dhe të fitojmë”.
Pique e pranon se një situatë e tillë nuk është në favor të Spanjës, ndërsa foli edhe për cështjen në aspektin politik, fjalë që dëgjohen rrallë në një konferencë për futbollin.
“Spanja dhe Katalunja janë si babai me të birin, ku djali në moshën 18 vjecare vendos të largohet nga shtëpia. Këtu duket sikur nuk merret në konsideratë realiteti i Katalunjës. Mund të mos jeni dakord me ne, por opinioni ynë duhet respektuar. Sepse ne ekzistojmë. Shumë njerëz na mbështesin edhe pse nuk bashkohen me ne. Njerëzit ndjekin televizorin dhe nuk e kuptojnë se cfarë po kalojmë. Kam prindër dhe miq, familjen time, aty vuhet shumë për këtë situatë”.
