Connect with us

Hi, what are you looking for?

Lajme

Plaku “skuq” derbin e Anamoravës, Prishtina ndal Ballkanin, ndizet gara për titullin

Gjilani ia doli të “skuqë” derbin e Anamoravës, duke fituar me meritë me rezultatin 2-0 pasditen e sotme dhe duke bërë vërtetë spektakolare garën për titullin kampion, kur kanë mbetur edhe dy javë nga fundi.

Skuadra e drejtuar nga Gentian Mezani arriti të shënojë golin e vetëm të ndeshjes me anë të sulmuesit veteran Sebino Plaku, i cili në minutën e 54-t shfrytëzoi mjaft mirë një asist spektakolar të Franc Veliut dhe arriti të dërgojë sferën në rrjetë.

Drita u përpoq të reagojë dhe krijoi disa mundësi të mira shënimi, ku më flagranti ishte ai i Namanit, që gjuajti mbi traversë një top që i erdhi pak metra larg portës, ndërsa në minutat shtesë Gjilani gjeti edhe golin e sigurisë.

Ishte një kundërsulm i shpejtë i “të kuqve” që u nisën në sulm me Prognin, i cili hyri në zonë dhe priti ardhjen e Shalës të cilin e shërbeu saktë dhe ky i fundit gjuajti me të djathtën, duke thyer për herë të dytë portierin Faton Maloku.

Me këtë 3-pikësh Gjilani mori vendin e dytë të renditjes me vetëm një pikë më pak se Drita dhe një më shumë se Ballkani, duke bërë që gara treshe për titull të jetë plotësisht e hapur dhe mjaft interesante në dy javët e mbetura.

Mjaft spektakolare ishte edhe përballja tjetër për kreun në Suharekë, mes Ballkanit vendas dhe Prishtinës së Armend Dallkut, ndërsa në fund të dy skuadrat u detyruan të ndajnë nga një pikë, pasi nuk shkuan më shumë se barazimi 2-2.

Ballkani kaloi në avantazh me golin e shënuar nga Blend Baftiu në minutën e 12’, por vetëm pak çaste më vonë Prishtina fitoi një 11-mtërsh me Mankendën, të cilin e shndërroi në gol Krasniqi, duke rikthyer baraspeshën.

Në minutat e fundit të pjesës së parë, Ballkani e rriti presingun dhe arriti të gjejë golin e avantazhit me anë të mesfushorit 28-vjeçar Kushtrim Gashi, duke shkuar në dhomat e zhveshjes me rezultatin 2-1.

Prishtina e nisi pjesën e dytë me një tjetër qasje dhe pas disa aksioneve të mira, ishte sulmuesi Otto John që shënoi golin e 9 personal prej janarit me fanellën e kryeqytetasve dhe riktheu edhe njëherë baraspeshën në rezultat.

Deri në vërshëllimën finale të dy skuadrat krijuan një mori rastesh për të shënuar golin e fitores, por nuk ia dolën dhe u detyruan të marrin vetëm nga një pikë, ndërsa me këtë barazim Prishtina del plotësisht nga gara për titullin kampion.

Nuk i vlen shumë barazimi as Ballkanit, që ndonëse mbetet vetëm dy pikë larg Dritës kryesuese, ka në dy javët e mbetura përballjen me të dy skuadrat e qytetit të Gjilanit, ndaj rikuperimi do të jetë shumë i vështirë.

Sa u përket sfidave të tjera, Ferizaj u mposht në shtëpi me rezultatin e thellë 0-4 nga Dukagjini dhe iu bashkua zyrtarisht këtyre të fundit e Vushtrrisë në rrugën për në Kategorinë e Parë, pasi ra edhe matematikisht.

Bëri detyrën edhe Drenica, që mposhti me përmbysje 2-1 Vushtrrinë, ndërsa Trepça ’89 mbajti gjallë shpresat për mbijetesë, pasi triumfoi 5-4 përballë Llapit në një sfidë vërtetë spektakolare dhe të bukur për t’u parë.

Miqtë nga Podujeva kaluan të parët në avantazh, ndërsa Trepça përmbysi gjithçka që në pjesën e parë, duke çuar shifrat në 3-1 dhe duke dhënë idenë se llogaritë e ndeshjes ishin mbyllur tashmë. Megjithatë Llapi nuk u dorëzua dhe arriti të shënojë tre gola në pjesën e dytë, duke marrë edhe njëherë avantazhin.

Gjithsesi minutat shtesë ishin vendimtare për fatin e takimit, pasi Trepça ’89 arriti të shënojë dy herë dhe të përmbysë gjithçka, duke marrë një fitore 5-4, që i mban gjallë shpresat për të mbijetuar mes më të mirëve të futbollit në Kosovë.

Lajme të tjera

Futboll

Maroku po përgatitet për të ndërtuar stadiumin më të madh në botë. Bëhet fjalë për një impiant futuristik, që dhe do të jetë ndër...

Kombëtare

Nga Stokholmi në Madrid. Trajneri Sylvinho nuk humb kohë aspak dhe fill pas miqësores Suedi-Shqipëri, ka fluturuar drejt kryeqytetit spanjoll për të ndjekur live...

Legjionarët

Napoli i dashuruar me shqiptarët. Pas Amir Rrahmanit, që është shndërruar në një shtyllë të mbrojtjes, klubi napolitan synon të sjellë në “Diego Armando...

Kombëtare

Armando Broja do të jetë zgjedhja e parë për Europianin. Mendon kështu gazetari dhe komentatori i mirënjohur, Ylli Aga, që në emisionin “Kuqezi” në...