Connect with us

Hi, what are you looking for?

Lajme

Play off/ Zvicra e Kroacia, për të siguruar biletën e botërorit

Kroacia dhe Zvicra pritet të bëhen përfaqësueset e radhës që do të sigurojnë kualifikimin për në botërorin e ardhshëm, teksa do të mbyllin të gjitha dilemat e fazës play off, me ndeshjet e kthimit që do të kenë respektivisht mbrëmjen e sotme. Duke pasur parasysh pasivin e tmerrshëm që kombëtarja helene mori në Zagreb vëmendja shkon natyrshëm në duelin tjetër Zvicër – Irlandë e Veriut, për më tepër “bardhejeshilët” nuk janë dorëzuar aspak dhe do të përpiqen që të hakmerren brenda në Basel.

“Norn Iron” duhet të përmbysin patjetër disavantazhin 1-0 të ndeshjes së parë, megjithatë fakt është që ekipi i Michael O’Neill u mund në mënyrën krejtësisht të padrejtë, falë një vendimi sa qesharak aq edhe të dhimbshëm të arbitrit Hategan, pasi me shumë gjasa do t’i kushtojë eliminimin skuadrës së Irlandës së Veriut.

Sigurisht ekipi helvet luajti shumë më mirë dhe Zvicra ishte skuadra që kërkoi vazhdimisht golin e avantazhit, megjithatë për penalltinë që bëri diferencën “bardhekuqtë” duhet të falënderojnë shumë 37-vjeçarin rumun, që akordoi pa kurrfarë mëdyshje 11-metërsh, topin e përplasur në shpinën e mesfushorit Corry Evans, pas gjuajtjes fluturimthi nga jashtë zone të Xherdan Shaqirit.

Goli i mbrojtësit Ricardo Rodriguez nga pika e bardhë në ‘Windsor Park’ e shtrëngon tashmë skuadrën e Irlandës së Veriut për të shënuar patjetër në St. Jakob – Park. Pavarësisht pjesëmarrjes në Francë 2016, që ishte edhe e para për “bardhejeshilët” në fazën finale të një evropiani, ekipit të Michael O’Neill i mungon eksperienca në nivele të tilla.

Diferenca është e kuptueshme, sepse nëse Zvicra ka munguar për herë të fundit në fazën finale të një botërori në vitin 2002 Irlanda e Veriut në krahun tjetër ka qenë pjesë e shfaqjes më të rëndësishme në glob shumë kohë më parë, më saktë që në botërorin e Meksikës në vitin e largët 1986. “Norn Iron” numëron 3 pjesëmarrje gjithsej, sidoqoftë për të shpresuar në një mrekulli 48-vjeçari nga Portadown duhet të ndryshojë domosdoshmërisht mënyrën e lojës dhe të orientojë më shumë drejt sulmit skuadrën, diçka që rrezikon t’i ekspozojë “bardhejeshilët” në mbrojtje, për të pësuar gola të tjerë nga një ekip si Zvicra që kundërsulmon tepër rrezikshëm, e që nuk mundet brenda në një takim kompetitiv prej tre vjetësh, që nga disfata 2-0 me Anglinë e Roy Hodgson-it.

Përfaqësuesja helvete kërkon kualifikimin e 11 për në fazën finale të një botërori, ndërkaq përballja e vetme ndërmjet tyre është regjistruar 53 vjet më parë në Lozanë, kur ekipi vendas fitoi takimin me shifrat 2-1.

Shumë më e lehtë pritet të jetë detyra e Kroacisë, që duket vërtet pranë pjesëmarrjes së pestë në finalet e Kupës së Botës, teksa duhet të mbrojë thjeshtë rezultatin e thellë 4-1 të ndeshjes së parë. Në Stadiumin ‘Maksimir’ të Zagrebit, trajneri Zlatko Daliç parapëlqeu ta interpretojë takimin pa sulmuesin Mario Mandzukiç, megjithatë Kroacia dominoi gjatë gjithë ndeshjes, duke hedhur një hap të sigurt drejt botërorit rus.

Përfaqësueses helene do t’i kthehet nga skualifikimi mbrojtësi Kostas Manolas, gjithsesi skuadrës së Michael Skibbe-s i nevojiten minimalisht tre gola për të shpresuar në një përmbysje të paprecedentë në historinë e fazës play off dhe natyrisht që e gjitha kjo ngjan me një mision të pamundur, duke pasur parasysh vështirësitë e mëdha që ka Greqia për të gjetur rrugën e rrjetës.

“Bardheblutë” kanë marrë pjesë rregullisht si në Afrikën e Jugut ashtu edhe në Brazil, megjithatë një pjesëmarrje për herë të katërt në fazën finale të Kupës së Botës duket vërtet e pamundur për Greqinë, me kontigjentin e lojtarëve që ka aktualisht në dispozicion. Në krahun tjetër që pas shpalljes së pavarësisë miqtë janë kualifikuar në 9 nga 11 aktivitetet e rëndësishme, pra evropian dhe botëror, por mbi të gjitha që të eliminohet këtë radhë Kroacia duhet të pësojë disfatën më të rëndë në 8 vitet e fundit, që nga humbja 5-1 në ‘Wembley’, me Anglinë e Capello-s.

Takimi do të luhet në Pire, në orën 20:45, në Stadiumin e zjarrtë ‘Georgios Karaiskakis’, me dy përfaqësueset që kanë bilanc krejtësisht të barabartë, me nga 2 fitore në 7 ndeshjet që kanë zhvilluar gjithsej, ndërsa takimi tjetër Zvicër – Irlandë e Veriut do të zhvillohet në Stadiumin St. Jakob – Park, në orën 18:00.

Lajme të tjera

Futboll

Maroku po përgatitet për të ndërtuar stadiumin më të madh në botë. Bëhet fjalë për një impiant futuristik, që dhe do të jetë ndër...

Kombëtare

Nga Stokholmi në Madrid. Trajneri Sylvinho nuk humb kohë aspak dhe fill pas miqësores Suedi-Shqipëri, ka fluturuar drejt kryeqytetit spanjoll për të ndjekur live...

Legjionarët

Napoli i dashuruar me shqiptarët. Pas Amir Rrahmanit, që është shndërruar në një shtyllë të mbrojtjes, klubi napolitan synon të sjellë në “Diego Armando...

Kombëtare

Armando Broja do të jetë zgjedhja e parë për Europianin. Mendon kështu gazetari dhe komentatori i mirënjohur, Ylli Aga, që në emisionin “Kuqezi” në...