Humbje e lehtë: E kishim vlerësuar Skënderbeun, por do të doja që të paktën pjesën e parë ta mbyllnim në barazim. Skuadra nuk ishte e hapur në fushë, por në momentin kur kishim topin gabuam dhe Skënderbeu na ndëshkoi. Goli na çoroditi. Ekipi nuk ka eksperiencën e duhur në Superiore, ishte ndeshja e parë në shtëpi dhe emocionet e entuziazmi ndikoi në paraqitjen e skuadrës.
Pozicioni i Domgjonit: Domgjoni ka cilësi dhe shpejtësi të mirë si dhe zotëron tipare mbrojtëse që do të pengonin daljet në sulm të Vangjelit. Këtë kërkova, por janë mendime para ndeshjes dhe ka raste që funksionojnë e ka raste jo.
Pjesa e parë e dobët: Jam mërzitur me pjesën e parë sidomos me dublimet nga krahët, që nuk ishin në lartësi. Nuk kishim agresivitetin e duhur, shkonim me vonesë dhe na hutonte Dita që merrte topin. Ishte zgjidhje jo e mirë e skuadrës. Në pjesën e dytë rrezikova më shumë se nuk kishim çfarë të humbnim, kalova thuajse me 5 sulmues që të rihapnim ndeshjen.
Kastrioti skuadër e vogël? U dukëm një skuadër e vogël pasi edhe Skënderbeu ka cilësi. Kishim hyrë në fushë me synim për të nervozuar kundërshtarin me kalimin e minutave. Kjo ishte ideja ime, por nuk ia arrita. Nuk doja të sulmoja që në fillim Skënderbeun pasi duke ditur krahët që ka dhe cilësitë e Muzakës.
