Në pritje të zbritjes në fushë edhe të Gareth Bale, i cili u rikthye në Londër zyrtarisht dje, pas 7 sezonesh me fanellën e Realit të Madridit, Tottenham i falet koreano-jugorit Son Hueng Min dhe merr fitoren e parë në kampionat.
“Spurs” ia dolën të fitojnë me rezultatin e thellë 2-5 në transfertën e “St. Mary’s Stadium”, në një ndeshje që nisi menjëherë me një gol të Harry Kane, por që u anulua pak sekonda më vonë nga VAR, për një pozicion jashtë loje.
Skuadra e Jose Mourinhos vuajti jo pak në pjesën e parë dhe Tanguy Ndombele, i hedhur titullar nga portugezi, nuk po arrinte t’i siguronte skuadrës një qarkullim të mirë dhe tranzicion të shpejtë të lojës.
Në minutën e 32-të gjërat u komplikuan edhe më shumë për Spurs, pasi Danny Ings u fut bukur mes dy qendërmbrojtësve të Tottenham dhe arriti të shënojë golin e avantazhit për Southampton, megjithatë londinezët rikthyen baraspeshën në shtesën e pjesës së parë, me anë të Son Hueng-Min, i cili shënoi me asistin e Harry Kane.
Në pjesën e dytë Mourinho la në dhomat e zhveshjes mesfushorin francez Ndombele dhe hodhi në fushë argjentinasin Lo Celso, ndërsa kapiteni Harry Kane u shndërrua në një “assist-man” pasi shërbeu edhe tre herë të tjera për koreanin Son Hueng-Min, i cili nuk gaboi duke kompletuar pokerin e golave personalë në sfidën e sotme.
Në minutën e 82-të ishte radha e vetë kapitenit Kane që të gjente golin e parë sezonal në Premier League dhe të çonte rezultatin në 1-5, para se të largohej nga fusha për t’u zëvendësuar nga holandezi Bergwijn.
Në minutën e fundit të kohës së rregullt pati kohë edhe për një tjetër gol për vendasit, që shënuan sërish me sulmuesin Danny Ings, këtë herë nga pika e penaltisë, duke vulosur shifrat finale 2-5 në favor të Tottenham.
Kujtojmë që të enjten në mbrëmje londinezët do të zbresin në stadiumin “Tose Proeski Arena” të Shkupit, për t’u përballur me Shkëndijën e Tetovës në sfidën e vlefshme për turin e tretë eliminator, e cila do të transmetohet live dhe ekskluzivisht në ekranin e SuperSport.