Connect with us

Hi, what are you looking for?

Futboll

Politika e ndotur kërkon “të qelbë” edhe sportin

Kur Kombëtarja Shqiptare u kthye nga Europiani i Francës, politika vrapoi për të përshëndetur sportin, për të “vjedhur” një pjesë të imazhit të suksesshëm të futbollit të atyre viteve dhe për të shkrepur foton e rastit, që do të vendoste edhe politikën si “bashkëdjersitëse” të fanellës. Shpeshherë, madje në 3 dekadat e fundit, politika ka vrapuar për të marrë dhe ajo copëzën e saj të meritave sportive, edhe pse, në këto 3 dekada, për sportin politika ka qenë fizikisht e pranishme, por jo me politika sportive, e aq më pak me terrene sportive, por më tepër me deklarata populiste e shpeshherë në interes të saj, për të futur në kllapa sportin, njerëzit e sportit, e terrenet e tij.

Në një dokumentar të RTSH-së në 1973-shin, në fushat e futbollit u bëhej jehonë investimeve të kohës në sport, me Tiranën që gëzonte për atë periudhë një numër të konsiderueshëm terrenesh sportive, pjesa dërrmuese e së cilave sot janë zhdukur nga harta e kryeqytetit, jo vetëm pa u zëvendësuar, por mbi të gjitha duke u tkurrur, mëkate të politikave sociale e drejtuesve, në një qytet që zhvillohet vertikalisht më shumë se horizontalisht.

 

Një pjesë e atyre futbollistëve, të cilët politika vrapoi për t’i përqafuar pas “Euro 2016”, është harruar se kanë dalë pikërisht nga ato klube shqiptare, që drejtohen nga pothuajse të njëjtët presidentë, që politika shqiptare i anatemon si rrugeçër, duke i veshur metafora negative për një sport që është mbajtur gjallë edhe nga sakrificat e xhepave të tyre.

Të njëjtët presidentë që çuan klubet shqiptare në hartën e futbollit europian duke ndërtuar, shpeshherë edhe keq, por duke ndërtuar gjithsesi teksa kishin përballë një politikë që jo vetëm nuk kërkon të ndërtojë në emër të sportit, por ashtu siç ka njollosur çdo fushë të jetës së përditshme shqiptare, kërkon të bëhet zot edhe në sport, duke mos kontribuar me politika sportive, por duke dashur të kthejë sportin në anën e politikës.

Dhe kur sporti ka zgjatur duart për të kontribuar për qytetin, me projekte si ai i 100 fushave, jo vetëm që ka hasur në indiferentizmin e politikës, por më pas është gjetur edhe përballë gënjeshtrave televizive. Duart e politikës në sport janë pothuajse gjithmonë të ndotura, ka qenë historikisht kështu sa herë që politika ka dashur ta shfrytëzojë sportin për qëllimet e saj, e do të vazhdojë të jetë gjithmonë kështu, sepse politika dhe sporti ndahen në një pikë, politika duhet të vihet në shërbim të sportit, dhe jo sporti t’i shërbejë politikës, në të kundërt metafora do të përfundojë së qeni vetë politika.

[quiz-cat id=”297408″]

Lajme të tjera

Champions League

Manchester City dështoi te penalltitë përballë Realit të Madridit, duke i thënë lamtumirë Champions League. Rrugëtimi i kampionëve në fuqi u mbyll në çerekfinale,...

Champions League

Paris Saint Germain u mposht 2-3 në përballjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Barcelonës në “parkun e Princave”, megjithatë trajneri Luis...

Eredivisie

Lajm i keq për tifozët e Vitesses, skuadër e Eredivisies. Përmes një njoftimi zyrtar për shtyp, KNVB (d.m.th. Federata Holandeze e Futbollit) njoftoi se...

Lajme

Një thashethem i bujshëm po mbush mediat rozë në Itali, teksa këtë herë protagonistë janë mesfushori amerikan i Juventusit, Weston McKennie dhe motra e...