Portieri kamerunas Andre Onana ka përfunduar sërish në qendër të kritikave të tifozëve të Ajaxit, të cilët nuk e kanë kapërdirë aspak vendimin e tij për t’u larguar me parametra zero drejt Interit.
Së fundi skuadra nga Amsterdami ia doli të triumfojë 2-1 ndaj Spartës së Rotterdamit, por në momentin e golit të pësuar nga Onana, tifozët shpërthyen në vërshëllima e kritika ndaj tij.
Vetë kamerunasi u pyet për këtë në përfundim të ndeshjes dhe dha një përgjigje të prerë, duke u shprehur se është i fokusuar vetëm për të punuar dhe rigjetur formën më të mirë, pas pezullimit 9-mujor për përdorim pa dashje të substancave të ndaluara.
“Nuk më plas fare për vërshëllimat e tifozëve. Mund të këndojnë apo të qajnë dhe mua nuk më bëhet vonë. Kam kaluar një vit të vështirë dhe tani që jam rikthyer, jam i lumtur. E di që nuk jam në formën time më të mirë, por është normale, pas aq muajsh larg fushave. Nuk kam asnjë problem me tifozët, të cilët mund të thonë çfarë të duan. Unë dëgjoj vetëm kritikat e trajnerëve të mi”, u shpreh Onana.
Kamerunasi ka firmosur një para-kontratë me Interin dhe do t’u bashkohet zikaltërve sezonin e ardhshëm, ku pritet të duelojë me kapitenin Samir Handanovic për një vend titullari mes shtyllave të portës.
