Ionut Radu largohet nga Seria A. Portieri i talentuar rumun, i cili është në pronësi të Interit, është huazuar për gjysmën e dytë të sezonit te francezët e Auxurre.
I rritur te të rinjtë e Interit, Radu ka provuar huazimin në shumë klube në Itali dhe sezonin e kaluar u rikthye te zikaltrit. Megjithatë eksperienca e tij u shënjua nga aktivizimi i paktë dhe mbi të gjitha gafa në ndeshjen ndaj Bolognës, që u kushtoi titullin zikaltërve.
Këtë sezon Radu u huazua te Cremonese, por ndonëse e nisi si titullar, shumë shpejt përfundoi në pankinë. Pikërisht humbja e vendit të titullarit, e detyroi të ndërpresë para kohe huazimin, pasi rumuni dëshiron të luajë rregullisht.
Auxurre është ngjitur rishtazi në ligën elitare të Francës dhe ka si synim mbijetesën në Ligue 1. Ky transferim do të jetë një mundësi e mirë për Radu, që të mund të rritet pa presion dhe të tregojë cilësitë e tij.
Pikërisht gabimet që e ndiqnin pas, duket se e detyruan të largohet edhe nga Italia, ku më shumë se për pritjet e tij, etiketohej si portieri që “i dha titullin” Milanit në sezonin e kaluar.
