Connect with us

Hi, what are you looking for?

Futboll

Portland Timbers mposht Orlandon dhe triumfon në “MLS is back”

Ekipi Portland Timbers fitoi turneun “MLS is Back”, teksa mundi në finale Orlando City-n me rezultatin 2-1. Një mini kampionat në version të shkurtuar, i konceptuar pikërisht në këtë mënyrë nga drejtuesit e Ligës së Amerikës së Veriut, për t’iu ardhur në ndihmë skuadrave të ndryshme në Major League Soccer, për t’u përshtatur sa më mirë me periudhën e vështirë të pandemisë së koronavirusit.

Një aktivitet që filloi me vetëm 24 skuadra, pasi dy ekipe si Dallas dhe Nashville u tërhoqën pak përpara se të startonte turneu, ngaqë shumë lojtarë të këtyre skuadrave u prekën nga një valë e madhe infektimi me virusin COVID-19. Gjithçka nisi në Florida, në Bay Lake me ndeshjet në fazën e grupeve, në Kompleksin gjigant prej 79 hektarësh ESPN Wide World of Sports, pranë Qytetit të Orlandos, pa praninë e spektatorëve, për të vijuar më pas me ndeshjet me eliminim të drejtpërdrejtë.

Në fund të drejtën për të luajtur finalen e madhe e fituan pikërisht futbollistët e ekipit nga Oregoni, Portland Timbers si dhe lojtarët e skuadrës vendase Orlando City. Ekipi i drejtuar nga trajneri venezuelan Giovanni Savarese kaloi në epërsi pa u mbushur as gjysmë ore lojë. Argjentinasi Diego Valeri krosoi në shtyllën e dytë ku mbrojtësi nga Republika Demokratike e Kongos Larrys Mabiala shënoi me kokë, duke mposhtur portierin e përfaqësueses peruane Pedro Gallese.

Avantazhi zgjati vetëm 12 minuta, sepse pak përpara se dy ekipet të shkonin në pushimin mes pjesëve mesfushori uruguaian Mauricio Pereyra ia doli për të barazuar rezultatin. Goli i fitores u realizua nga një tjetër goditje standarde. Pas një goditje nga këndi futbollistët e drejtuar nga trajneri kolumbian Oscar Pareja nuk arritën të spastrojnë dot zonën e tyre dhe nga shumë pranë portës përfitoi pikërisht mbrojtësi kroat i ardhur nga Rijeka Dario Zupariç, që devijoi topin nga brenda zonës së vogël.

Skuadra nga Florida që ka në gjirin e saj edhe ish-futbollistin e Manchester United, lojtarin e përfaqësueses portugeze Nani u mundua të reagojë, megjithatë ekipi nga Oregoni e administroi avantazhin në mënyrën më të mirë të mundshme, për të fituar krejt takimin me rezultatin 2-1. Trofeu i parë për Timbers që nga titulli i fituar në vitin 2015 në Major League Soccer, që konfirmon qartë edhe formën shumë të mirë të Portlandit në prag të rifillimit të sezonit të rregullt.

Sezoni për vitin 2020 në MLS startoi në fundin e muajit shkurt dhe u ndërpre pak përpara mesit të muajit mars, ndërkohë gjithçka përsa i përket sezonit të rregullt do të nisë pa humbur kohë ditën e enjte, me duelin Dallas – Nashville, që do të luhet në Teksas, në Frisco në Toyota Stadium.

Lajme të tjera

Kombëtare

Nga Stokholmi në Madrid. Trajneri Sylvinho nuk humb kohë aspak dhe fill pas miqësores Suedi-Shqipëri, ka fluturuar drejt kryeqytetit spanjoll për të ndjekur live...

Kombëtare

Armando Broja do të jetë zgjedhja e parë për Europianin. Mendon kështu gazetari dhe komentatori i mirënjohur, Ylli Aga, që në emisionin “Kuqezi” në...

Champions League

Champions League do të nisë sezonin e ri me një formulë të re, teksa rrugëtimi do të startojë nga një grup i vetëm, me...

Kombëtare

Një humbje djeg gjithmonë edhe në miqësore, megjithatë ajo e Shqipërisë ndaj Suedisë mund të shihet me shumë nota pozitive. Të mposhtur me rezultatin...