Me një karrierë të gjatë si lojtar dhe trajner në Kroaci, ai është një nga shqiptarët që e njeh deri në qelizë futbollin kroat. Bëhet fjalë për trajnerin Besnik Prenga. 48-vjeçari i lindur në Mirditë aktualisht drejton skuadrën e Lucko, por në të shkuarën ka drejtuar edhe Lokomotivën e Zagrebit, skuadra e dytë e kryeqytetit kroat. Në prag të duelit play off mes Skënderbeut dhe Dinamos së Zagrebit, Prenga thekson se skuadra kroate është rikthyer sërish në nivelet më të larta dhe do të jetë një pengesë e madhe për korçarët në “Maksimir”.
Tashmë që Pjaca dhe Rog janë transferuar në Serie A, Dinamo e Zagrebit ka humbur diçka nga shkëlqimi i dy viteve më parë kur triumfoi ndaj korçarëve në play off të Champions League, por Prenga thekson se ekipi kundërshtar ka elementë të tjerë me vlerë që mund të bëjnë diferencën.
Herdi Prenga ka ndjekur gjurmët e të atit në futbollin kroat dhe Besniku është një nga ata teknikë që di të evidentojë talentin tek të rinjtë. Ai shton se edhe Skënderbeu ka armët e veta të forta dhe një prej tyre është Liridon Latifi.
Në fund ai heq petkun e analistit dhe e pranon se në këtë duel zemra e tij do të rrahë për ekipin e Ilir Dajës.
