Të dielën Milani ishte ‘viktima’ e Sampdorias në fushën e lojës, ndërsa sot e presidentit Ferrero, me ironitë e tij. Presidenti i Sampdorias është i njohur në Itali për batutat e tij sa humoristike, aq edhe kontradiktore dhe këtë herë ka ironizuar merkaton e kuqezinjve.
“Kisha parashikuar se do të fitonim 2-1, por ata nuk goditën asnjëherë në portë, ndonse kanë shpenzuar 200 milionë euro në merkato. Milan ka një skuadër të mirë, por vetëm individualisht sepse nuk kanë arritur të jenë ekip”, deklaroi Ferrero.
Humbja e Milanit ndaj Sampdorias, nxorri në pah defektet e kuqezinjve dhe nuk u prit aspak mirë nga drejtuesit e klubit, të cilët kanë vënë në diskutim edhe të ardhmen e teknikut Montella. Sot në mbrëmje, Milan do të presë Rijekën, në takimin e vlefshëm për Europa League, ndërsa vëmendja duket se është te ndeshja e të dielës ndaj Romës, një test deçiziv për ecurinë e kuqezinjve në kampionat.
