Bayern Munich prezanton Jupp Heynckes.Trajneri i cili me bavarezët fitoi tripletën në vitin 2013-të, theksoi se është gati për të drejtuar sërish kampionët e Gjermanisë dhe për të marrë trashëgiminë e lënë nga Italiani Carlo Ancelotti i cili u shkarkua nga detyra 10 ditë më parë. “ Dua të falenderoj Bayernin për besimin” deklaroi fillimisht 72-vjeçari. Më tej Heynckes shtoi: “ Jam në gjëndje shumë të mirë fizike dhe mendore, edhe pse po kalojmë një moment të vështirë jam i sigurtë se skuadra shumë shpejt do të tregojë në fushë një profil të ndryshëm. E kam tashmë një plan të qartë në mendje”, theksoi trajneri i bavarezëve.
Heynckes më pas thuri elozhe për futbollistët ndërsa shpjegoi edhe arsyet e rikthimit. “Skuadra ka potencial dhe shumë kualitet, por futbollistët duhet të fitojnë besimin e humbur. I detyrohem shumë Bayern-it pasi më dha mundësinë për tu bërë një trajner i madh dhe për këtë arsye u riktheva, shtoi në fund 72-vjeçari gjerman.
