Connect with us

Hi, what are you looking for?

Formula 1

Prognoza e Botërorit, Hamilton dhe Mercedes, favoritë

Pas përfundimit të testeve të Barcelonës që të gjitha skuadrat kanë krijuar një ide më të qartë për pritshmëritë që duhet të kenë për kampionatin botëror të vitit 2018 në Formula 1, megjithatë përshtypja e përgjithshme është se Lewis Hamilton dhe ekipi Mercedes mbeten favoritët për të fituar përsëri titujt respektivë, si për pilotë ashtu edhe në garën e konstruktorëve. Piloti britanik niset si favorit për të pestin sezon rresht, sidoqoftë, duke lënë mënjanë natyrisht përkrahësit e skuadrës gjermane si dhe tifozët e kampionit në fuqi, pjesa më e madhe e të apasionuarve të Formulës 1 shpresojnë shumë në një ngushtim të diferencës së skuadrave Ferrari dhe Red Bull me “shigjetat e argjendta”.

Nga testet në Montmelo u kuptua qartë që stafi teknik i ekipit Mercedes i udhëhequr nga James Allison ka ndërtuar një makinë pa pika të dobëta. Sigurisht në makinën e re janë bërë ndryshime, por gjithsesi jo shumë dhe ritmi i garës duket tepër i lartë, falë balancimit të shkëlqyer si dhe ngarkesës aerodinamike. Për të parë rendimentin si dhe shpejtësinë e vërtetë në xhiro duhen pritur provat zyrtare të Çmimit të Madh të Australisë, sidoqoftë siguria dhe qetësia e shfaqur në pistë nga Lewis Hamilton i fut frikën që tani kundërshtarëve.

Përsa i përket Ferrarit “pole position”-i virtual i 4 herë kampionit të botës Sebastian Vettel si dhe koha e dytë më e shpejtë e finlandezit Kimi Raikkonen në cirkuitin spanjoll nuk duhet të krijojnë shumë iluzione. Situata duket se është përmbysur krahasuar me një vit më parë, kur drejtuesit e Ferrarit ishin të bindur për shpejtësinë e makinave të kuqe me çdo lloj gome, si dhe faktin që mund të përballeshin që në start si të barabartë me makinat Mercedes, gjë që u vërtetua më së miri më pas edhe nga vetë fitoret e Sebastian Vettel në Australi, Bahrein dhe Montecarlo.

Ferrari i ri duket krejt i ndryshëm dhe kuptohet qartë që nevojitet ende shumë punë për të konfiguruar siç duhet makinën, pavarësisht fuqisë që ka njëvendëshja SF71H, prandaj në Maranello po luftohet kundër kohës, për të mos ta lënë 33-vjeçarin anglez që të shkëputet akoma më tepër. Në krahun tjetër gjeniu Adrian Newey duket se është rikthyer sërish për të lënë gjurmë, pasi modeli i ri RB14 duket se i ka të gjitha mundësitë për t’u përfshirë në rivalitetin për titull.

Nga sa kuptohet, stafi teknik ka sakrifikuar kuaj fuqi në favor të besueshmërisë së makinës, sidoqoftë një ndryshim i tillë mund të penalizojë dy pilotët Max Verstappen dhe Daniel Ricciardo gjatë provave kualifikuese. Për momentin shenja rritjeje tregon ekipi McLaren, por gjithashtu edhe skuadra italiane Toro Rosso, që befas me motorin Honda ka kuptuar se ka në dispozicion një makinë sa të shpejtë po aq edhe të besueshme, deri në atë pikë sa për të konfirmuar se ka regjistruar më shumë kilometra se të gjithë, pas dyshes Ferrari – Mercedes.

Përsa i përket pjesës që mbetet, Renault duket si forca e katërt e kampionatit, Force India ngjan me një objekt misterioz, ndërkaq ekipi Williams mund të thuhet me plot gojën që është zhytur në mediokritet, ndërsa skuadra Alfa – Sauber ka për objektiv pikërisht përshtatjen me ndryshimet e këtij sezoni.

Lajme të tjera

Kombëtare

Nga Stokholmi në Madrid. Trajneri Sylvinho nuk humb kohë aspak dhe fill pas miqësores Suedi-Shqipëri, ka fluturuar drejt kryeqytetit spanjoll për të ndjekur live...

Kombëtare

Armando Broja do të jetë zgjedhja e parë për Europianin. Mendon kështu gazetari dhe komentatori i mirënjohur, Ylli Aga, që në emisionin “Kuqezi” në...

Champions League

Champions League do të nisë sezonin e ri me një formulë të re, teksa rrugëtimi do të startojë nga një grup i vetëm, me...

Kombëtare

Një humbje djeg gjithmonë edhe në miqësore, megjithatë ajo e Shqipërisë ndaj Suedisë mund të shihet me shumë nota pozitive. Të mposhtur me rezultatin...