Pas fitores 3-0 ndaj Bayern Munich, në Champions league, PSG ka shkatërruar Bordonë me rezultatin 6-2, në takimin e zhvilluar në ‘Parc des Princes’. Ekipi i Emery e nisi vrullshëm takimin dhe zgjidhi gjithçka në pjesën e parë, duke shënuar plot pesë herë dhe pësuar vetëm 1.
Dy herë Neymar, Cavani, Meunier dhe Draxler shënuan në pjesën e parë për vendasit, ndërsa në fillim të pjesës së dytë, ishte radha e Mbappe të shkruante emrin në listën e golshënuesve. Bordo u tregua e pafuqishme përballë sulmit vrasës të kryeqytetasve, por gjithsesi arriti të shënojë dy gola.
Në këtë takim, krahas konfirmimit të formës së shkëlqyer të PSG-së, u zgjidh edhe dilema e gjuajtësit të penalltive, çështje që shkaktoi polemika mes Neymar dhe Cavanit, në takimin ndaj Lyon. Sot braziliani gjuajti 11 metërshin dhe pasi e dërgoi në rrjetë, mori edhe përqafimet e sulmuesit uruguajan, që mesa duket ka pranuar qetësisht vendimin e klubit.
Pas tetë javëve, PSG kryeson kampionatin francez me 22 pikë, tre më tepër se Monaco e vendit të dytë.
