PSV ruan ritmin në Eredivise, pas suksesit 1-2 në transfertën e Roterdamit përballë Spartës. Skuadra e Schmidt nuk ishte në ditën më të mirë dhe kjo u kuptua pas 32 minutash, kur vendasit kaluan në avantazh me finalizimin e gjermanit Lennart Thy.
Pavarësisht ritmit, PSV nuk ia doli të ndryshonte rezultatin. Në fraksionin e dytë gjërat ndryshuan dhe ekuilibrat u prishën, pasi në minutën e 54-të, belgu Verschueren u ndëshkua me kartonin e kuq, duke lënë vendasit në inferioritet numerik. Një moment që ndryshoi sfidën, pasi skuadra nga Eindhoveni përmbysi rezultatin në harkun e tetë minutave. Në të 59-ën, Mauro Junior barazoi fal një “perle” nga distanca, ndërsa në minutën e 67-të, japonezi Ritsu Doan shënoi golin e përmbysjes, një finalizim që në fund kishte vlerën e tre pikëve.
Skuadra e Schmidt administroi mjaft mirë kronometrin dhe pse në minutat shtesë, vendasit provuan të shënonin golin e barazimit, por pa sukses.
Me këtë fitore, PSV qëndron në vendin e dytë, me 55 pikë, ndërsa Sparta mbetet në pozita jo komode, në vendin e parafundit me 17 pikë.
