Kombëtare

Qipro, objektivi dhe dyshja Rrahmani-Rashica, Giresse: Formacionin e zbuloj me një kusht!

Kosova kërkon të reagojë pas humbjes në Irlandën e Veriut. Dardanët presin të martën (20:45) Qipron në “Fadil Vokrri” (SuperSport 3), sfida e fundit e Grupit 2 të Ligës C, përballje që nuk duhet humbur për të mos rrezikuar zbritjen në Ligën D.

Trajneri Alain Giresse tregoi gjendjen e skuadrës së tij në prononcimin për shtypin, teksa preku edhe disa tema të tjera gjatë fjalës së tij, duke u ndalur te gjendja e kapitenit Amir Rrahmani dhe çfarë pret nga sfida me Qipron.

“Nesër kemi ndeshjen e radhës. Qëllimi është fitorja. Portieri ka lënduar kaviljen në Belfast, nuk e dimë gjendjen e Muric. Rrahmani ka progres, ka përmirësim, por do e vlerësojmë nesër nëse do të ketë mundësi të luajë. Lojtarët e tjerë nuk kanë probleme përveç lodhjes pas ndeshjes.

Kur përgatitet një ndeshje nuk mendohet aspekti negativ. Përgatitemi vetëm për të marrë rezultat pozitiv. Prioritet është të fitojmë ndeshjen, por edhe mund të provojmë lojtarë të rinj gjatë ndeshjes. Kam thënë që kemi një listë me 23 lojtarë.

A ka kërkuar Napoli të mos aktivizoj Rrahmanin? Kemi parë ndeshjen Milan-Napoli dhe pamë mënyrën se si u lëndua Amiri. Gjendja ishte aq e keqe pas ndeshjes me Milanin, për Irlandën e Veriut nuk ishte i gatshëm, të shohim për nesër nëse do të luajë.

Rashica? Miloti ka qenë i gatshëm dhe korrekt si gjithë lojtarët e tjerë. Shpresoj që të ketë më shumë minuta në klubin e tij të ri. Jam i kënaqur me përvojën time deri tani te Kosova, punoj në kushte shumë të mira. Po punojmë të bëjmë progres, të sjellim lojtarë të rinj dhe ta dërgojmë ekipin në nivele më të larta.

Kemi dy pasiguri: njëri është Amir Rrahmani. Sa i përket formacionit, ju e dini që nuk e japim formacionin përpara ndeshjes. Nëse trajneri i Qipros na e sjell formacionin e tij, atëherë edhe unë mund t’ia jap atij.

Ballkani? Ka edhe shumë lojtarë të tjerë që nuk luajnë, jo vetëm ata të Ballkanit. Kam një listë prej 23 lojtarësh, por vetëm 11 luajnë. Ne përgatitemi për të fituar, jo për të humbur.

A e mendoj dorëheqjen në rast humbje? A po mendon se shumë trajnerë i përgatisin dorëheqjet e tyre?! Asnjë trajner nuk mendon të humbë.

Emërllahu? Ai ka treguar cilësi të mira te Kosova U21, por është një hap i madh për të kalimi tek ekipi i parë. Nuk është njësoj të luash në Conference League dhe te Kosova.

Trajneri duhet të bëjë zgjedhjet e tij. Ka pasur raste kur lojtarët kanë treguar cilësi te Kosova, edhe pse nuk kanë shfaqur me të mirën te Kosova U21.

Komunikimi me lojtarët? Kam një asistent që flet anglisht, por disa lojtarë flasin edhe frëngjisht. Edhe unë flas anglisht. Pastaj fjalët teknike të gjithë i kuptojnë”, përfundoi trajneri francezi i Kosovës.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency