Connect with us

Hi, what are you looking for?

Katar 2022

Radha e “big”-ëve të Europës, spikat Spanjë-Greqi

Pas 12 ndeshjeve të para të fazës kualifikuese në Kontinentin e Vjetër, radhën e kanë 26 skuadra të tjera përfaqësuese për të zbritur në fushë, për të plotësuar ndeshjet hapëse të sfidave eliminatore të Konfederatës së UEFA-s, të vlefshme për fazën finale të kampionatit të ardhshëm botëror, që do të zhvillohet vitin tjetër në Katar. Spikat në kalendarin e kësaj të enjteje takimi Spanjë – Greqi, në Grupin B, ku figurojnë gjithashtu edhe Suedia, Gjeorgjia dhe Kosova.

Spanja e ka përmirësuar renditjen botërore dhe “La Furia Roja” konsiderohet një ndër skuadrat përfaqësuese me klasifikimin më të mirë nga Kontinenti Evropian. Nga vendi i katërt që mbahet nga Anglia e deri te i dhjeti ku pozicionohet Italia janë plot shtatë ekipe kombëtare që ndahen nga thjeshtë 45 pikë gjithsej, sidoqoftë “La Roja” klasifikohet në vendin e gjashtë në renditjen e përgjithshme të FIFA-s, falë ecurisë shumë të mirë në ndeshjet kualifikuese të edicionit të fundit të Ligës së Kombeve.

Në edicionin e dytë të UEFA Nations League skuadra e drejtuar nga trajneri Luis Enrique ia doli mbanë për të lënë prapa në Grupin e Katërt të Divizionit Elitar Gjermaninë, Zvicrën dhe Ukrainën, duke u kualifikuar për në fazën finale të Ligës së Kombeve, ku do të matë forcat me Italinë në Milano, në takimin gjysmëfinal të 6 tetorit, ndërsa kombëtarja helene në Grupin 3 të Kategorisë së Tretë e përfundoi aventurën në vendin dytë, pas Sllovenisë, duke mbajtur poshtë Kosovën me Moldavinë.

50-vjeçari asturian këtë herë ka lënë jashtë portierin më të shtrenjtë në planet, Kepa Arrizabalaga, duke grumbulluar gardianin e Brightonit Robert Sanchez, ndërkaq seleksionuesi i kombëtares spanjolle ka thirrur gjithashtu në ekip për herë të parë edhe mbrojtësin 21-vjecar të Sportingut të Lisbonës, Pedro Porro, mesfushorin 18-vjeçar të Barcelonës, Pedri, si dhe sulmuesin 20-vjeçar të Eibarit Bryan Gil.

Spanja do të përballet ditën e dielë me Gjeorgjinë në Tbilisi, ndërsa përfaqësuesja helene do t’i përqendrojë të gjitha forcat në takimin me skuadrën favorite të këtij grupi, duke patur parasysh që në fundjavë, tri ditë pas këtij dueli, do të masë forcat në një takim miqësor me Hondurasin, në Selanik.

Luis Enrique i ka të gjithë futbollistët në dispozicion, sidoqoftë i vetmi që ka probleme fizike është kapiteni Sergio Ramos, ndërkohë edhe trajneri holandez i ekipit helen, John van’t Schip, në krahun tjetër, ka mundësinë të shkojë në Gadishullin Iberik me formacion të plotë. Takimi do të mbahet në Andaluzi, në “Estadio Los Carmenes”, në Qytetin e Granadës, në orën 20:45.

Në shtëpi, gjatë katër viteve të fundit, Spanja ka mposhtur çdo kundërshtar që aktualisht pozicionohet jashtë 20-shes së parë të klasifikimit të përgjithshëm të FIFA-s. Sa për statistikë, “La Roja” ka shënuar plot 30 gola në 7 sfidat e fundit kompetitive brenda, duke mos pësuar qoftë edhe një gol të vetëm në shtëpi. Spanja ka marrë përpara çdo ekip kundërshtar në 17 sfidat e fundit brenda, duke koleksionuar plot 17 fitore rresht në shtëpi, në ndeshjet eliminatore të aktiviteteve madhore, evropian dhe botëror. Dallim bën takimi i Gijonit, më 22 marsin e vitit 2013, kur vendasit, nën drejtimin e trajnerit veteran Vicente del Bosque, u bllokuan në një barazim 1-1 nga Finlanda.

Spanja ka humbur vetëm 1 ndeshje në 19 sfidat e fundit, atë me Ukrainën në Kiev, pesë muaj e gjysmë më parë, në Ligën e Kombeve, ndërsa Greqia, nga ana e saj, është mundur vetëm nga Austria, në një test miqësor në 11 takimet e fundit. Dy vendet janë ndeshur 10 herë ndërmjet tyre dhe Spanja krenohet me plot 7 fitore. Dy takime janë mbyllur në barazim, ndërkaq suksesin e vetëm përfaqësuesja helene e ka regjistruar më 7 qershorin e vitit 2003, në stadiumin “La Romareda” të Saragosës, ku ekipi helen fitoi duelin përpara 32.000 spektatorëve falë një goli të sulmuesit të mirënjohur, Stelios Giannakopoulos.

Kurioz është fakti që Spanja numëron plot 28 vjet pa humbje në sfidat eliminatore të kampionateve botërore, më saktë që nga 31 marsi i vitit 1993, kur “La Furia Roja” u mund minimalisht 1-0 në “Parken” të Kopenhagenit nga Danimarka.

Italia mbyll dhjetëshen e parë në rruzull dhe përfaqësuesja “azzurre” nuk pritet të hasë shumë vështirësi për të kaluar Grupin C, ku skuadra më e fortë duket Zvicra, gjithsesi ekipi i Roberto Mancinit, që nuk njeh humbje në 22 sfidat e fundit, do ta nisë aventurën e ndeshjeve eliminatore për Katar 2022 me Irlandën e Veriut, në orën 20:45, në stadiumin “Ennio Tardini” të Parmës.

Shorti është treguar shumë i mirë edhe me kombëtaren e Gjermanisë, që në Grupin J do të presë po në të njëjtën orë Islandën, në “Schauinsland – Reisen – Arena” të Duisburgut, grup ku në qytetin e Ploeshtit do të luhet një ndër sfidat më interesante të mbrëmjes, Rumani – Maqedoni e Veriut, ndërkohë Anglia pritet të përmbytë në gola San Marinon në Wembley, përpara se të vizitojë përfaqësuesen kuqezi në takimin e dytë të Grupit I, të dielën në mbrëmje, në “Air Albania”, në kryeqytet.

Lajme të tjera

Futboll

Maroku po përgatitet për të ndërtuar stadiumin më të madh në botë. Bëhet fjalë për një impiant futuristik, që dhe do të jetë ndër...

Kombëtare

Nga Stokholmi në Madrid. Trajneri Sylvinho nuk humb kohë aspak dhe fill pas miqësores Suedi-Shqipëri, ka fluturuar drejt kryeqytetit spanjoll për të ndjekur live...

Legjionarët

Napoli i dashuruar me shqiptarët. Pas Amir Rrahmanit, që është shndërruar në një shtyllë të mbrojtjes, klubi napolitan synon të sjellë në “Diego Armando...

Kombëtare

Armando Broja do të jetë zgjedhja e parë për Europianin. Mendon kështu gazetari dhe komentatori i mirënjohur, Ylli Aga, që në emisionin “Kuqezi” në...