Connect with us

Hi, what are you looking for?

Tenis

Rafael Nadal mbyll para kohë sezonin, shkak bëhen dëmtimet

Rafael Nadal mbyll sezonin para kohe, për shkak të një dëmtimi në shputën e këmbës. Dy muaj më parë bëri përshtypje fillimisht lajmi që doli nga kampi i Rafës, se tenisti i famshëm spanjoll kishte vendosur për të mos marrë pjesë si në Wimbledon ashtu edhe në turneun e Lojërave të 32-ta Olimpike, që u mbajtën në Tokio. Një vendim i tillë natyrisht u argumentua nga tenisti iberik me idenë për t’u rikuperuar në aspektin fizik, në mënyrë që të përgatitej sa më mirë që të ishte e mundur, për turnetë e tjerë të rëndësishëm që mbeteshin nga viti 2021.

Për hir të së vërtetës veterani nga Majorka iu kthye tenisit të luajtur në fillimin e këtij muaji, në turneun e përvitshëm Citi Open, që mbahet si zakonisht në Washington D.C. Në fakt, Rafa u regjistrua në edicionin e 52-të të turneut të përvitshëm të kryeqytetit të Shteteve të Bashkuara me synimin për të shënuar emrin gjithashtu edhe në listën e fituesve të njërit prej turneve të paktë që i mungon në karrierën e tij të lavdishme, megjithatë rezultatet ishin zhgënjyese, duke përfshirë madje edhe atë triumf të mundimshëm dhe plot vuajtje ndaj një kundërshtari si Jack Sock, që aktualisht pozicionohet në vendin e 185-të në klasifikimin e përgjithshëm ATP.

Me 28-vjeçarin nga Nebraska Nadali pati nevojë për tri sete dhe diçka më tepër se tri orë lojë për të fituar takimin me tie break, ndërsa në sfidën e tij të dytë vetëm një ditë më vonë 35-vjeçari nga Manacori u mposht në tri sete, në fazën e 1/8 nga tenisti jugafrikan, Lloyd Harris, me 24-vjeçarin nga Cape Town që aktualisht pozicionohet në vendin e 46-të në renditjen botërore.

Tani gjërat ndryshojnë krejtësisht për të dhe duke mos parë progres, me sa kuptohet, tenisti i mirënjohur iberik vendosi që ta përfundojë përpara kohe sezonin, duke u tërhequr nga të gjithë aktivitetet ku kishte premtuar për të qenë i pranishëm. Në këto tetë muaj të parë të vitit, sigurisht duke marrë parasysh edhe dëmtimet e shumta Rafa nuk ka prekur as kuotën e 3 000 pikëve. Për të qenë të saktë, Nadali ka grumbulluar 2.985 pikë gjithsej dhe aktualisht mban vendin e shtatë, në klasifikimin provizor të këtij sezoni, për nga pikët e përfituara vetëm gjatë vitit 2021.

Vitet kanë filluar të peshojnë dhe dëmtimet natyrisht kanë lënë pasojat e tyre, gjithsesi rënia ka filluar të ndihet e një gjë e tillë po reflektohet edhe në renditjen e përgjithshme botërore, ku Rafa ka rrëshqitur nga vendi i dytë në pozicionin e katërt të klasifikimit ATP. Mbetet për t’u parë se çfarë do të bëjnë tenistët e tjerë që ndjekin nga prapa, sidoqoftë me 7.815 pikët që ka në renditjen e përgjithshme Nadali nuk pritet të zbresë më tepër se vendi i gjashtë. Mbi të gjitha, fituesi i 20 trofeve të mëdhenj nuk do të jetë në Slamin Nujorkez, që starton në Shtetet e Bashkuara në ditën e parafundit të këtij muaji.

Turneu i famshëm amerikan do të nisë më datën 30 gusht dhe tani është e qartë që në edicionin e 141 të US Open përvec Roger Federerit do të mungojë edhe tenisti që e ka fituar turneun e Flushing Meadows katër herë, në vitet 2010, 2013, 2017 e 2019. Siç dihet, ka mbyllur sezonin për shkak të problemeve të vazhdueshme në gju edhe Roger Federer, që ka triumfuar plot 5 herë në stadiumin më të madh të këtij sporti në rruzull, Arthur Ashe, megjithatë këtë herë do të mungojë gjithashtu edhe kampioni në fuqi.

Pra në US Open për të dytin vit rresht tenisti kampion nuk do të jetë i pranishëm në edicionin pasardhës, për të mbrojtur titullin. Ndodhi kjo gjë me Rafën në vitin 2020, kur tenisti spanjoll nuk kaloi fare oqeanin, nga frika e infektimit me virusin Covid – 19, ndërsa sivjet këtë mundësi nuk do ta ketë Dominic Thiem, që vitin e shkuar përfitoi 2.000 pikë të plota, teksa u kurorëzua me triumfin e parë Slam në karrierë, duke përmbysur disavantazhin e dy seteve në finalen e madhe ndaj tenistit gjerman Alexander Zverev.

Domi ka 810 pikë më pak se Rafa në renditjen botërore dhe klasifikohet i gjashti, por do të humbasë 2.000 pikët dhe një pjesë të mirë të pozicioneve, pasi 28-vjeçari austriak ka mbyllur sezonin që tani për arsye të një dëmtimi të rëndë në kycin e dorës, ndërkaq në krahun tjetër Alexander Zverev duhet të mbrojë 1.200 pikët e finales. Gjithsesi Sascha, Medvedev, Tsitsipas, Rublev dhe Berrettini konsiderohen si tenistët e tjerë favoritë, pas numrit 1 të botës Novak Djokovic që pavarësisht problemeve fizike do të ketë një rast të artë për të triumfuar në Queens, në Flushing Meadows – Corona Park, për t’u bërë me 21 trofe Slam dhe lënë prapa dyshen Federer – Nadal, përsa u përket titujve në turnetë më të rëndësishëm të këtij sporti.

Më herët, Nadali humbi edhe dy turnetë Masters në Toronto dhe Cincinnati, ku mungoi gjithashtu edhe Nole, kështu që dy rivalët e vjetër mbeten në krye, në turnetë e kategorisë Masters 1000 me nga 36 trofe. Rafael Nadal shkroi në profilin e tij në Instagram se ka vuajtur pasojat e dëmtimit të fundit në këmbë dhe ka ndier dhimbje sa për një sezon të tërë, prandaj një vendim i tillë ndërmerret pikërisht për t’u qetësuar dhe fituar kohë.

Mendohet se Rafa e pësoi dëmtimin e fundit në shputën e këmbës në Roland Garros, ku “Mbreti” i fushave me dhe u mund në fazën gjysmëfinale nga Novak Djokovic, duke dështuar për të mbrojtur “trofeun e musketierëve”, kupë të cilën tenisti i famshëm spanjoll e fituar plot 13 herë përgjatë karrierës.                                                

 

 

 

Lajme të tjera

Champions League

Paris Saint Germain u mposht 2-3 në përballjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Barcelonës në “parkun e Princave”, megjithatë trajneri Luis...

Serie A

Momente frike gjatë Udinese-Roma, ndeshje ku Evan Ndicka u rrëzua në fushë në minutën e 69-të pasi u ndje keq. Mbrojtësi nga Bregu i...

Lajme

Një thashethem i bujshëm po mbush mediat rozë në Itali, teksa këtë herë protagonistë janë mesfushori amerikan i Juventusit, Weston McKennie dhe motra e...

Bundesliga

Pritjes i erdhi fundi. Bayer Leverkusen është zyrtarisht kampion i Bundesliga-s, me skuadrën e Xabi Alonso-s që bëri detyrën edhe në sfidën e javës...