Connect with us

Hi, what are you looking for?

Tenis

Rafael Nadal, “Perandori i Romës”, 10 trofe të fituar në “Qytetin e Përjetshëm”

Rafael Nadal është Perandori i Romës. Sportisti i famshëm spanjoll fitoi një tjetër finale të madhe ndaj rivalit të tij më të ashpër Novak Djokovic, duke u kurorëzuar për herë të dhjetë në “Qytetin e Përjetshëm”. Rafa respektoi parashikimet duke e thyer Nolen për herë të katërt në një finale në Mastersin Italian, duke shkuar në këtë mënyrë me dy shifra edhe në turneun e përvitshëm të Apenineve që zhvillohet në kryeqytet, në Foro Italico.

Titulli i 88-të në karrierë për 34-vjeçarin nga Majorka, që do të festojë 35-vjetorin e tij në ditët e para të qershorit, duke u shkëputur kështu me 6 më shumë se sa rivali i tij Novak Djokovic, që pozicionohet i pesti, pra një vend më poshtë, në listën e tenistëve më të suksesshëm të të gjitha kohërave, përsa i përket trofeve të fituar në epokën moderne të këtij sporti.

Ditën e shtunë Nadalit i mjaftoi thjesht një orë e gjysmë lojë për të mposhtur lojtarin më shtatlartë në rruzull, tenistin nga Shtetet e Bashkuara Reilly Opelka, ndërsa tenisti ballkanas harxhoi plot pesë orë nga koha e tij, për të eliminuar me radhë, por me shumë vështirësi kundërshtarë të tillë si Stefanos Tsitsipas dhe Lorenzo Sonego. Një lodhje e tillë nuk është se influencoi, madje Novak Djokovic e filloi takimin në mënyrën më të mirë të mundshme, duke i rrëmbyer shërbimet që në start “mbretit të fushave me dhe”.

Rafa kishte fituar katër setet e fundit ndërmjet tyre në këtë lloj sipërfaqe si dhe katër sfidat e fundit ndërmjet këtyre dy tenistëve në fushat me dhe, megjithatë përgjigjja e tenistit të mirënjohur iberik nuk vonoi dhe Nadali rekuperoi menjëherë me kundërbreak. Ky është rivaliteti më i egër që është regjistruar ndonjëherë në botën e këtij sporti dhe Novak Djokovic kryesonte 29-27, në 56 sfidat e mëparshme ndërmjet tyre. Deri në dhjetorin e vitit të largët 2010 Rafa kryesonte 16-7, megjithatë që nga viti 2015 e këtej tenisti nga Serbia kishte triumfuar në 11 nga 15 takimet e fundit ndërmjet tyre.

Ndonëse u rrëzua keq në mesin e këtij seti Nadali shtrëngoi dhëmbët dhe ia doli për t’ia rrëmbyer shërbimet numrit 1 të botës pikërisht atëherë kur të gjithë po bëheshin gati për të ndjekur një tie break ndërmjet dy tenistëve më të mirë në planet. Seti hapës ishte më i gjati dhe zgjati plot 75’. Në këtë set Rafa regjistroi 21 goditje fituese dhe 11 gabime, ndërsa Djokovic vetëm 10 goditje fituese dhe plot 15 gabime. Të gjithë menduan se Djokovic do të hidhte armët, por Nadali e mendoi takimin të mbyllur përpara kohe dhe nuk shfrytëzoi raste shumë të mira si dhe një mundësi për break që në fillimin e këtij seti.

Rafa hoqi dorë nga sulmet dhe ia lëshoi iniciativën 33-vjeçarit serb, që javën e ardhshme do të festojë 34-vjetorin e tij, e Nole falënderoi sipas mënyrës së tij duke dominuar plotësisht pjesën e mbetur të këtij seti. Nadali lëshoi inercinë e ndeshjes, duke regjistruar vetëm 5 goditje fituese në këtë set, madje në setin final numri 1 i botës pati një mundësi të shkëlqyer për ta thyer në servis “mbretin e fushave me dhe”, e kryesuar 3-2 me game, por ashtu si edhe në finalen me tenistin grek Stefanos Tsitsipas në Barcelonë rrjeta e ndihmoi sërish tenistin iberik, që i anuloi dy mundësi për break tenistit ballkanas. Prej aty takimi ndryshoi përsëri dhe këtë herë Nadali shfrytëzoi momentin e mirë për ta mposhtur në servis numrin 1 të botës dhe mbyllur më pas pa shumë vështirësi gjithë ndeshjen me shifrat 7-5, 1-6, 6-3 në 2h 48’ lojë.

Fitorja e 3 në 4 sfidat e fundit ndërmjet tyre dhe e 5 në 8 takimet e fundit në të gjitha sipërfaqet. Një statistikë që tregon se Rafa po gjen zgjidhjet e duhura për të kthyer sërish situatën në favorin e tij, në përballjet ndërmjet tyre. Titulli i 10 për Rafën në 12 finale në Mastersin e Romës, ndërkohë në krahun tjetër Nole është tenisti i vetëm që e ka mundur në ato dy finale, por për Djokovic-in kjo ishte disfata e 6 në 11 finalet e zhvilluara në Foro Italico. Dy tenistët tani barazohen në kuotën e 36 trofeve Masters të fituar, por kampioni në fuqi humbi në këtë mënyrë 400 pikë nga edicioni i 78 në Mastersin Italian, ndërsa Rafa që vitin e kaluar u mund në vetëm dy sete nga argjentinasi Diego Schwartzman fiton plot 820 pikë nga ky turne.

Një titull tepër i çmuar për tenistin spanjoll që vjen plot 16 vjet pas finales historike të vitit 2005, kur Rafa mposhti pas 5h 15’ lojë argjentinasin Guillermo Coria, 8-6 në tie break-un e setit të pestë. Përsa i përket sukseseve në fushat me dhe ky është turneu i katërt ku tenisti i famshëm spanjoll shkon me dy shifra. Teksa bëhet gati për të mbrojtur titullin në Roland Garros Nadali krenohet me 13 tituj në Slam-in Parizien, 12 në turneun e Barcelonës, 11 në Montecarlo si dhe 10 trofe në Mastersin e Romës.

Lajme të tjera

Champions League

Paris Saint Germain u mposht 2-3 në përballjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Barcelonës në “parkun e Princave”, megjithatë trajneri Luis...

Serie A

Momente frike gjatë Udinese-Roma, ndeshje ku Evan Ndicka u rrëzua në fushë në minutën e 69-të pasi u ndje keq. Mbrojtësi nga Bregu i...

Lajme

Një thashethem i bujshëm po mbush mediat rozë në Itali, teksa këtë herë protagonistë janë mesfushori amerikan i Juventusit, Weston McKennie dhe motra e...

Bundesliga

Pritjes i erdhi fundi. Bayer Leverkusen është zyrtarisht kampion i Bundesliga-s, me skuadrën e Xabi Alonso-s që bëri detyrën edhe në sfidën e javës...