Connect with us

Hi, what are you looking for?

Merkato

Raiola “çon” dy sulmues te Milani, por mund t’i heqë portierin

Mino Raiola është një ndër menaxherët më të impenjuar të kësaj periudhe, me tre klientë të famshëm të tij që mund të ndryshojnë shpejt destinacion. Bëhet fjalë për emra si Zlatan Ibrahimovic dhe Moise Kean, megjithëse përjashtim nuk bën as portieri Gianluigi Donnarumma, për të cilin gjithsesi po hamendësohet përshkimi i një itinerari të kundërt me dy lojtarët e sipërpërmendur.

Udhëtimet e shpeshta të 52-vjeçarit italo-holandez pritet të kushtëzojnë në muajin janar vërtet shumë merkaton e klubit të Milanit. Kështu në harkun e vetëm disa javëve Raiola mund të arrijë dy marrëveshje shumë të rëndësishme për “kuqezinjtë”. Dy lëvizje të menjëhershme që pritet të bëjnë të mundur kalimin në radhët e Milanit të dyshes Ibrahimoviç-Kean, ndërkaq më të komplikuar duken bisedimet për një transferim të mundshëm të portierit Donnarumma, sezonin e ardhshëm në radhët e Juventusit.

Natyrisht rasti i veteranit suedez nuk përbën më kurrfarë sekreti. Oferta e kuqezinjve parashikon 2 milionë euro për periudhën janar-qershor, me opsionin për të firmosur gjithashtu edhe për sezonin tjetër me dyfishimin e kësaj vlere. Bëhet fjalë për një shumë inferiore krahasuar me shifrën që merrte deri pak kohë më parë futbollisti me origjinë boshnjake, sidoqoftë në mënyrë të kuptueshme duhet marrë në konsideratë edhe mosha e 38-vjeçarit. Jo më kot sulmuesi shtatlartë është duke vlerësuar gjithashtu edhe ofertën e Bolonjës, gjithsesi dëshira e dyshes Boban-Maldini është për ta përfshirë Zlatanin në grupin e lojtarëve që në muajin dhjetor, për ta përgatitur në njëfarë mënyre për të zbritur në fushë pse jo që më 5 janar, kur “San Siro”-n do ta vizitojë një skuadër si Sampdoria.

Për momentin gjithçka varet nga vetë Ibra, megjithatë shumë në të ardhmen e tij mund të influencojë edhe Jose Mourinho, sepse në mënyrë të kuptueshme do të mjaftonte një telefonatë e trajnerit portugez për të transferuar gjigantin suedez në ishull. Rasti i dytë është ai i Moise Kean dhe për një si Raiola nuk është e vështirë për të kuptuar situatën e vështirë në të cilën ndodhet klienti i tij. 19-vjeçari ka zbritur si titullar vetëm 9 herë me Evertonin në Premier League, megjithëse pak a shumë dihen vështirësitë e kampionatit anglez, madje edhe mesfushori brazilian Fabinho vuajti jo pak dhe u desh të priste radhën e tij për të bindur trajnerin e Liverpulit Jurgen Klopp.

Trajneri aktual i “toffees” Marco Silva e ka shumë për zemër adoleshentin me origjinë nga Bregu i Fildishtë, sidoqoftë trajneri portugez është shumë pranë shkarkimit. Objektivi i Raiola-s është për ta dërguar sulmuesin në evropian me Italinë, me fanellën e së cilës Moise Kean ka shënuar 2 gola në 3 takime. 52-vjecari synon shkëmbimin në formë huazimi të klientit të tij me sulmuesin e Milanit Piatek, që nuk po kalon momente të mira me trajnerin Stefano Pioli. Pra 6 muaj lojtari polak te Evertoni dhe gjysmë sezoni gjithashtu edhe për Moise Kean në radhët e “kuqezinjve”, shkëmbim që mund t’i bënte mirë që të dyve, por në mënyrë të kuptueshme realizimi i një shkëmbimi të tillë lidhet ngushtë me emrin e Ibrës, sepse nëse nuk arrihet transferimi i veteranit suedez me shumë gjasa do të hidhej në erë edhe marrëveshja me sulmuesin e ri.

Raiola po punon edhe për rinovimin e Bonaventura-s, por dy muajt e ardhshëm do të jenë përcaktues gjithashtu edhe për portierin Gigio Donnarumma. Kontrata aktuale me 6 milion në sezon është e vlefshme deri në vitin 2021 dhe siç dihet klubi tjetër me të cilin Raiola ka marrëdhënie të shkëlqyera është pikërisht Juventusi. Menaxheri i famshëm ka kërkuar 8 – 9 milionë euro në sezon, shumë që për bardhezinjtë nuk përbën ndonjë problem të madh, prandaj duke kuptuar që Donnarumma po i afrohet me shpejtësi fundit të kontratës drejtuesit e Milanit janë të shtrënguar për të bërë lëshime, kështu që një transferim i portierit të përfaqësueses italiane në radhët e “zonjës së vjetër” mund të arrihet qoftë edhe për 40-45 milionë euro.

Lajme të tjera

Futboll

Skuadra e Mechelen, e drejtuar nga Besnik Hasi, rikthehet tek fitorja në kampionat belg në play off-in e grupit të Conference League. Pas humbjes...

Futboll

Fernando Santos nuk është më trajner i Beshiktashit, ka bërë të ditur klubi nga Stambolli këtë të shtunë. Vendimi u mor pas barazimit (1-1)...

Kosovë

Gafë e pafalshme e Arijanet Muric në Premier League. Portieri titullar i Kosovës, pjesë e Burnleyt në kampionatin më të bukur në botë, i...

Champions League

Paris Saint Germain u mposht 2-3 në përballjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Barcelonës në “parkun e Princave”, megjithatë trajneri Luis...