Në krah të trajnerit Bernard Challandes, në konferencën për shtyp ditën e sotme ishte mesfushori i Kosovës Anel Raskaj, i cili tha se takimi ndaj Gjibraltarit do të shërbejë për të marrë minuta lojtarët që kanë luajtur më pak gjatë kësaj kohe.
Një miqësore ndaj një kundërshtari jo të fortë, sa do t’i shërbejë Kosovës për t’u përgatitur për Malin e Zi?
Çdo ndeshje është e rëndësishme, ashtu si edhe kjo ndeshje, pasi disa lojtarë nuk kanë luajtur shumë në klubet e tyre dhe do të kenë mundësi të marrin minuta në këtë takim. Edhe lojtarët që kanë luajtur pak në Përfaqësuesen tonë, kanë mundësi të tregojnë veten nesër.
Ju jeni një nga lojtarët që keni pasur pak minuta në takimet e kaluara. Prisni të jeni nga minuta e parë nesër?
Nuk pres asgjë, pasi unë e kam thënë gjithmonë që jam i fokusuar për çdo situatë dhe pres vendimin e trajnerit. Mund të luajë nga fillimi, mund të luaj vetëm 5 minuta, por detyra ime është të jem i përqendruar dhe i gatshëm të bëj më të mirën kur të më kërkohet.
Cilat janë pritshmëritë tuaja për takimin me Malin e Zi?
Duhet të jemi të kujdesshëm, pasi kemi ecur shumë mirë deri tani. Megjithatë Kosova nuk e ka luksin ta shohë kundërshtarin si më të dobët se vetja, ndaj duhet të jemi të fokusuar dhe me këmbë në tokë. Mali i Zi ka në përbërje lojtarë që luajnë në Spanjë e Itali, ndaj nuk do të jetë e lehtë kjo ndeshje. Shpresoj të kemi mentalitetin e duhur për të përballuar këtë takim.
