Connect with us

Hi, what are you looking for?

La Liga

Real-Barça, një El Clasico për titullin e La Ligas në “Alfredo Di Stefano”!

Reali dhe Barcelona bëhen gati për sfidën numër 182 në historinë e kampionatit spanjoll dhe el clasico këtë herë natyrisht merr një rëndësi tepër të vecantë, për shkak të rrethanave dhe pozitave respektive të dy klubeve më të titulluar të këtij vendi. Për herë të parë pas më shumë se dy dekadave dy gjigantët e futbollit spanjoll rrezikojnë ta mbyllin sezonin së bashku pa asnjë trofe. Në vitin 2000 Deportivo La Coruna triumfoi në Primera Division dhe në Superkupën e Spanjës, ndërsa Espanyol-i ngriti trofeun e Kupës së Mbretit. Kjo pra në mënyrë të kuptueshme parashikohet të jetë një ndër klasiket më të rëndësishme të shekullit të ri dhe barazimi nuk është se iu shërben shumë këtyre dy ekipeve, duke patur parasysh faktin që kryesuesit e Atletikos së Madridit do të zbresin në fushë 24 orë më vonë, megjithëse për hir të së vërtetës “los colchoneros” do të kenë një takim tepër të vështirë në Andaluzi me Real Betisin.

Reali ka fituar dy sfidat e fundit ndërmjet tyre, madje me më tepër se një gol diferencë, që të dyja këto ndeshje në kampionatin spanjoll, ndërkaq klubi i mirënjohur katalanas ka bërë kërdinë përsa i përket titujve, duke u kurorëzuar plot 10 herë në 16 edicionet e fundit në Primera Division. Praktikisht gjatë kësaj periudhe Barca ka fituar dyfishin e kampionateve krahasuar me rivalët e përjetshëm dhe klubi blaugrana kryeson 10-5 me tituj. Nga 2005 e këtej përjashtim bën vetëm sezoni 2013-14, kur Atletiko e Madridit ia doli mbanë për t’i rrëmbyer titullin pikërisht në javën e fundit Barcelonës, që asokohe drejtohej nga argjentinasi Tata Martino, madje brenda në Camp Nou, falë golit të paharrueshëm të barazimit që shënoi mbrojtësi uruguajan Diego Godin. Pasi u shpall dy herë radhazi nënkampione e Spanjës në tre edicionet e fundit tani skuadra rojiblanco është sërish aty, madje ekipi i Diego Simeones ka shpërdoruar jo pak, por plot 13 pikë avantazh që kishte vetëm pak muaj më parë. Kampionati spanjoll ka hyrë në cerekun e fundit dhe bardhekuqtë kanë një kalendar vërtet shumë impenjativ, duke patur parasysh që në këto 9 javët e fundit ekipi i Diego Simeones do të ketë sfida tepër të vështira, me Betisin, Barcelonën e Bilbaon jashtë fushe si dhe me Sociedad-in brenda në Wanda Metropolitano.

Pas këtij presioni asfiksues dhe humbjes së gjithë këtij avantazhi në letër Atletiko mund të bëjë kthesën e madhe dhe t’i fitojë të gjitha ndeshjet e mbetura, duke i lënë duarbosh dy gjigantët e futbollit spanjoll, sidoqoftë tani është e qartë që cështja e titullit këtë sezon në Primera Division nuk varet më vetëm prej bardhekuqve. Reali është gjithashtu në valle në Champions, ku pavarësisht mungesave fitoi ndeshjen e parë në kryeqytet me Liverpulin, me rezultatin 3-1, ndërsa Barcelona në krahun tjetër falë përmbysjeve të mëdha pikërisht në castet e fundit me skuadra si Rayo Vallecano, Granada dhe Sevilla ka shpresa të mëdha për t’u rikthyer te Kupa e Mbretit pas vetëm tre vjetëve. Finalja e madhe e edicionit të 119 të Copa del Rey do të luhet në Sevilje të shtunën tjetër dhe përballë do të jetë ekipi bask i Athletic Bilbaos, që në mesin e muajit janar i eliminoi një e nga një po në Andaluzi gjigantët e Realit dhe Barcës në Superkupën e Spanjës. Situata te Reali nuk është se ka ndryshuar shumë. Nën drejtimin e trajnerit Zinedine Zidane los blancos vazhdojnë të bëjnë përpara me hapa të vegjël, por pa shumë zhurmë dhe mbi të gjitha pa spikatur në fushën e lojës. Ku i dihet, ky mund të shndërrohet në sezonin më të suksesshëm në historinë e Zizusë te Reali, por gjithsesi, do të mjaftonte thjesht një rezultat negativ, për të nxehur mediat dhe për të rihapur historitë e vjetra të shkarkimit apo vënies në dyshim të trajnerit francez.

Eliminimi i dhimbshëm i janarit në Kupën e Spanjës nga një klub modest i Kategorisë së Tretë si Alcoyano, për më tepër që në fazën e 1/16 tashmë është harruar. Humbjen e fundit skuadra merengues e ka pësuar brenda në kryeqytet nga Levante, 10 javë më parë. Që nga fundi i muajit janar kampionët në fuqi kanë rreshtuar 12 ndeshje pa humbje, në të gjithë kompeticionet, ku përjashtim bëjnë vetëm dy barazimet me Sociedad-in dhe Atletico-n në kampionat, në fillimin e muajit të kaluar. Mbi të gjitha “mbretërorët” gjatë kësaj kohe nuk kanë ndjerë shumë mungesën e kapitenit Sergio Ramos, ndërsa influenca e belgut Eden Hazard ka rënë ndjeshëm dhe tani 30-vjecari valon me të drejtë nuk konsiderohet më as si ndonjë mungesë e rëndësishme, duke patur parasysh dëmtimet e shpeshta dhe problemet e shumta fizike. Në krahun tjetër Barcelona e nisi kampionatin në mënyrën më të keqe të mundshme dhe me dilema të mëdha. Për shumë kohë kapiteni Lionel Mesi u shfaq pa dëshirë, jashtë forme dhe i pakënaqur, për faktin që drejtuesit e mëparshëm i mohuan të drejtën për t’u larguar nga klubi ku u rrit dhe u formua. Ylli argjentinas shkoi në El clasico me vetëm 1 gol të shënuar në 4 ndeshjet e para të këtij edicioni, shifër që konfirmoi edhe startin më të dobët në karrierë për Leon që nga sezoni 2005-06, kur Mesi ishte adoleshent dhe në hapat e para të karrierës.

Përballja në Camp Nou u duk sikur e përkeqësoi akoma më shumë situatën e Barcelonës, ndërsa dorëheqja e presidentit Josep Maria Bartomeu vetëm tre ditë më vonë e coi në gjendje kolapsi klubin e famshëm katalanas. Në Camp Nou Barca nuk luajti keq, por 11-metërshi tepër i diskutueshëm i fituar nga Sergio Ramos dhe i shndërruar në gol nga vetë kapiteni shtroi rrugën për triumfin përfundimtar me rezultatin 3-1 brenda në Barcelonë. Pas atij takimi Lionel Messi preku shifrën e 515’ pa shënuar në el clasico, vetëm 7’ larg periudhës më shterpë në karrierë, ndaj los blancos. Ajo ishte humbja e dytë radhazi pas Getafe-s në Primera Division, por mbi të gjitha skuadra blaugrana u zhyt në krizë e vuajti edhe në vazhdim, duke i mbyllur 10 sfidat e para në kampionat me plot 4 humbje për herë të dytë në histori që nga viti i largët 1988 dhe me vetëm 14 pikë të grumbulluara gjithsej. Në mënyrë të kuptueshme i gjithë faji u hodh mbi trajnerin Ronald Koeman dhe skemën e tij të preferuar 4-2-3-1, duke patur parasysh që tifozët dhe mediat ishin mësuar me rreshtimin klasik 4-3-3.

Që pas humbjeve rresht me Kadisin dhe Juventusin 58-vjecari holandez ndryshoi krejtësisht duke i bërë përzgjedhjet e tij në bazë të lojtarëve në dispozicion dhe fortësisë së kundërshtarit. Ronald Koeman pati kurajon për të ndryshuar duke e rreshtuar ekipin me modulin 4-3-3 apo dhe 3-4-2-1. Që nga ajo kohë Barca nuk ka provuar më shijen e humbjes dhe skuadra katalanase ka fituar 16 nga 19 ndeshjet e zhvilluara në Primera Division, ndërsa kapiteni Leo Mesi ka marrë kryesimin e listës së goalshënuesve me 23 gola, 5 më stepër se sa Karim Benzema, që pozicionohet i katërti në klasifikimin pichichi.

Ndryshim bëjnë vetëm barazimet me klube si Valencia, Eibar dhe Cadiz, e si për ironi të fatit madje edhe këto tre barazime janë regjistruar brenda në Camp Nou. Barcelona ka fituar 13 nga 14 sfidat e fundit në kampionat dhe një pjesë e mirë e kësaj ecurie i detyrohet mbrojtjes me tre, madje ekipi ka pësuar vetëm 2 gola në 6 sfidat e fundit në Primera Division. Përsa i përket ndeshjes trajneri Ronald Koeman nuk do të ketë në dispozicion dyshen Philippe Coutinho – Ansu Fati, ndërsa në krahun tjetër homologu i tij do të vuajë mungesën e dyshes së qendërs Sergio Ramos – Raphael Varane. Falë dy ndeshjeve të fundit Reali kryeson bilancin e përgjithshëm në kampionat, me 74 fitore kundrejt 72 të Barcës, ndërsa 35 takime janë mbyllur në barazim. Ndeshja do të zhvillohet në orën 21:00 dhe do të jetë el clasico e parë që do të luhet në Stadiumin Alfredo Di Stefano. 13 muaj më parë los blancos fituan duelin mes tyre me dy gola në 20’ e fundit, gjithsesi ky është rezultati i vetëm pozitiv i Realit në kampionat brenda në Madrid që nga viti 2014, pasi Barca ka fituar në kryeqytet 4 nga 5 sfidat e fundit ndërmjet tyre në Primera Division.

 

 

 

Lajme të tjera

Champions League

Paris Saint Germain u mposht 2-3 në përballjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Barcelonës në “parkun e Princave”, megjithatë trajneri Luis...

Serie A

Momente frike gjatë Udinese-Roma, ndeshje ku Evan Ndicka u rrëzua në fushë në minutën e 69-të pasi u ndje keq. Mbrojtësi nga Bregu i...

Lajme

Një thashethem i bujshëm po mbush mediat rozë në Itali, teksa këtë herë protagonistë janë mesfushori amerikan i Juventusit, Weston McKennie dhe motra e...

Champions League

Manchester City dështoi te penalltitë përballë Realit të Madridit, duke i thënë lamtumirë Champions League. Rrugëtimi i kampionëve në fuqi u mbyll në çerekfinale,...