Connect with us

Hi, what are you looking for?

La Liga

Real e Atletico Madrid, derbi në distancë për titullin kampion

Pas dy barazimeve radhazi të Barcelonës fati i këtij edicioni në Primera Division është në dorën e dy skuadrave madrilene. Barazimi i bardhë me “los colchoneros” dhe konsiderohej në vetvete zhgënjyes për ekipin katalanas, ndërsa barazimi tjetër që pasoi në Qytetin e Valencias dhe rrethanat se si u arrit me një skuadër si Levante hodhi në erë përfundimisht edhe ato fare pak shpresa që ushqente për titullin klubi blaugrana. Me një ecuri të tillë dhe sigurisht me plot katër pikë diferencë kundrejt vendit të parë tani në mënyrë të kuptueshme Barca konsiderohet jashtë luftës për titullin, kështu që edicioni i 90 i kampionatit spanjoll do të varet shumë nga çfarë do të bëjnë Atletico dhe Reali i Madridit në dy sfidat e fundit të këtij sezoni jubilar.

“Bardhekuqtë” ia dolën për të mposhtur në “Wanda Metropolitano” Real Sociedad-in, ndërsa skuadra “merengues” respektoi parashikimet, duke thyer brenda në Krahinën Autonome të Andaluzisë, Granadën. Përballjet e radhës Atletico dhe Reali do t’i kenë respektivisht ndaj kundërshtarëve të tillë si Osasuna dhe Athletic Bilbao. Skuadra e drejtuar nga trajneri Diego Simeone duket se e hodhi përfundimisht pas krahëve krizën e thellë, që përjetoi në periudhën shkurt – mars. Një rënie e tillë e menjëhershme për hir të së vërtetës zgjati deri në mesin e muajit prill, sidoqoftë ngritja filloi pikërisht në momentin e duhur dhe tani “los colchoneros” e kanë vetë në dorë fatin e këtij edicioni. Atletico ka një rast të shkëlqyer për të rifituar titullin për herë të parë që nga viti 2014 dhe nisur festimet në shatërvanin e famshëm të Neptunit, në kryeqytetin spanjoll.

Ndaj Sociedad-it Atleti nuk përsëriti më gabimin e takimit me Bilbaon, në Vendet Baske, ku skuadrës së Simeones i shpëtoi një pikë vërtet shumë e çmuar nga duart, pikërisht në minutat e fundit të ndeshjes. Disfata e pësuar me Athletic Bilbaon mbetet e vetmja për skuadrën e Simeones në kampionat në shtatë sfidat e fundit. Në fakt gjatë shtatë takimeve të fundit në Ligën Spanjolle Atleti ka grumbulluar 14 pikë gjithsej, pra mesatarisht 2 pikë për ndeshje, ndërsa kampionët në fuqi vijojnë të bëjnë përpara plot luhatje të shumta. Fitore, barazim, fitore, kjo është muzika që është përsëritur vazhdimisht në shtatë ndeshjet e fundit nga ekipi i drejtuar nga trajneri Zinedine Zidane, i cili duket vërtet shumë i mërzitur për situatën dhe sipas burimeve të ndryshme me shumë gjasa në fundin e këtij sezoni 48-vjeçari marsejez do të largohet nga rekordmenët e futbollit spanjoll.

Presidenti Florentino Perez ia plotësoi të gjitha dëshirat, me përjashtim të vetëm njërës, mesfushorit të Manchester United Paul Pogba. Drejtuesit e Realit shpenzuan jo pak por 350 milionë euro në vitin 2019, por më pas klubi i famshëm “merengues” frenoi fort dhe u tregua tepër dorështrënguar në tre fazat e mëtejshme të merkatos, për të përforcuar skuadrën, e natyrisht një arsye e fortë është në mënyrë të qartë edhe përshkallëzimi i situatës për shkak të pandemisë së koronavirusit. Tre Champions dhe 2 Kampionate ka fituar Zizou me “los blancos” dhe në Spanjë janë të bindur se presidenti Florentino Perez nuk ka aspak ndër mend për ta shkarkuar trajnerin me origjinë algjeriane, madje edhe nëse sezoni mbyllet pa asnjë trofe, duke patur parasysh situatën aktuale, gjendjen e vështirë në aspektin financiar si dhe pasojat që mund të vuajë klubi për shkak të përfshirjes në ngritjen e strukturës paralele të Super Ligës Evropiane.

Këtë herë radhën për të vuajtur me skuadrën baske do ta kenë pikërisht kampionët në fuqi, që do të masin forcat në Bilbao me ekipin e Marcelinho-s. Për momentin diferenca ndërmjet dy skuadrave madrilene është thjesht dy pikë, megjithatë dy javë para përfundimit janë dy pikë shumë të rënda që peshojnë vërtet shumë dhe tani “Los blancos” duhet të shpresojnë në një hap të gabuar të ekipit të Simeones në dy sfidat e fundit. Fillimisht futbollistët e Realit duhet të bëjnë punën e tyre dhe të fitojnë patjetër në Vendet Baske, për të mbajtur të gjalla shpresat, sidoqoftë bëhet fjalë për një duel të ashpër, ku dy trajnerët do të përballen me probleme të mëdha, për shkak të mungesave të shumta.

Sikur të mos mjaftonin dëmtimet dhe problemet e shumta fizike që kanë lojtarët e repartit të mbrojtjes Zizou nuk do të ketë gjithashtu në dispozicion as mesfushorin e mirënjohur Toni Kroos, që është izoluar, pasi ka qenë në kontakte të afërta me një person të infektuar me Virusin Covid – 19. Reali ka fituar dy sfidat e fundit në Primera Division ndaj Bilbaos, por gjithsesi përballjen e fundit ndërmjet tyre në Stadiumin “La Rosaleda” të Malagës në gjysmëfinalen e Superkupës së Spanjës e fitoi ekipi bask me rezultatin 2-1. Në krahun tjetër Atleti nuk ka probleme me dëmtimet apo mungesat dhe përveç avantazhit të faktorit fushë skuadra e Simeones ka fituar radhazi pesë takimet e fundit ndërmjet tyre, si dhe 9 nga 10 sfidat e fundit të ligës spanjolle mes tyre. Për sa i përket Barcelonës ekipi i drejtuar nga trajneri Ronald Koeman do të presë në “Camp Nou” skuadrën e Celta Vigo-s dhe të gjitha ndeshjet e javës së parafundit të kampionatit në Primera Division do të zhvillohen njëkohësisht, në orën 18:30.

Lajme të tjera

Champions League

Paris Saint Germain u mposht 2-3 në përballjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Barcelonës në “parkun e Princave”, megjithatë trajneri Luis...

Serie A

Momente frike gjatë Udinese-Roma, ndeshje ku Evan Ndicka u rrëzua në fushë në minutën e 69-të pasi u ndje keq. Mbrojtësi nga Bregu i...

Lajme

Një thashethem i bujshëm po mbush mediat rozë në Itali, teksa këtë herë protagonistë janë mesfushori amerikan i Juventusit, Weston McKennie dhe motra e...

Bundesliga

Pritjes i erdhi fundi. Bayer Leverkusen është zyrtarisht kampion i Bundesliga-s, me skuadrën e Xabi Alonso-s që bëri detyrën edhe në sfidën e javës...