Real Madrid u kualifikua për në finalen e Superkupës së Spanjës teksa në gjysmëfinalen e zhvilluar në Arabinë Saudite përballë Valencias, Los Blancos iu desh fati duke qenë se u kualifikuan vetëm nga goditjet e penalltive, me kohën e rregullt dhe atë shtesë që u mbyll në barazimin 1-1. Pas sfidës, trajneri i madrilenëve, Carlo Ancelotti theksoi se të besuarit e tij nuk janë në më të mirën e tyre ndërsa italiani nuk harroi të theksoi edhe faktin se 14 lojtarë të Realit ishin në Kupën e Botës ndërsa ndjejnë lodhjen në një moment të tillë të sezonit.
“Ishte një ndeshje e vështirë, por duhet theksuar se në nivele të tilla nuk ka asnjë ndeshje të lehtë. Ia vështirësuam vetes punën duke qenë se pësuam shumë shpejt në pjesën e dytë. Në përgjithësi ishte një performancë e mirë në mbrojtje, por një moment pakujdesie dhe e pësuam. Është e qartë se nuk jemi në më të mirën tonë, kishim 14 lojtarë që morën pjesë në Kupën e Botës.
Por, jemi të lumtur që kaluam në finale dhe besoj se skuadra do të vijë në rritje. Ne normalisht kemi një paraqitje të mirë në finale, do të na duhet të luftojmë dhe të fitojmë Superkupën. Goditjet e penalltive? Vendosëm që të godisnin lojtarët më me eksperiencë, nëse do të goditej edhe penalltia e pestë atë do ta merrte përsipër Vinicius Junior. Por, unë jam i lumtur që ai nuk pati mundësinë të godiste”, u shpreh Ancelotti.
