Reali i Madridit bëri harakiri në javën e 11-të të La Ligas pasi u mposht në shtëpi me rezultatin 1-2 nga Deportivo Alaves. Një disfatë e rëndë për Los Blancos të cilët vazhdojnë luhatjet në këtë sezon të La Ligas. Një penallti që në minutat e para për miqtë u kthye në gol nga Lucas Perez, i cili mposhti Courtois edhe pse portieri belg kuptoi krahun. Një gafë e këtij të fundit në largimin e topit në fillimin e pjesës së dytë u shfrytëzua nga Joselu që realizoi golin e dytë për Alaves. Reagimi i Realit erdhi me vonesë pasi Casemiro rihapi sfidën me golin e 1-2 vetëm në minutën e 86-të. Në sekondat e fundit të shtesës Reali iu afrua shumë barazimit por goditja e Iscos nga jashtë zone u ndal nga traversa. Pas kësaj humbjeje me një ndeshje më pak për të luajtur se Atletico, Reali është -6 pikë nga kreu. Fitore minimale për Sevillan e treta radhazi në kampionat që erdhi me një gol të El Nesyri në fushën e Huescas.
