Mentor Zhdrella tërhiqet nga futbolli në moshën 34-vjeçare. Një nga lojtarët më të talentuar që ka nxjerrë futbolli dardan, ka vendosur të varë këpucët në gozhdë.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, mesfushori ofensiv i dha fund karrierës 20-vjeçare. Zhdrella u shpall katër herë futbollisti më i mirë në kampionatin e Kosovës (2009, 2010, 2011, 2012).
Karrierën e nisi tek ekipi i KEK-ut, më pas veshi fanellat e 2 Korrikut, Prishtinës, Hysit, Dritës, Feronikelit dhe Llapit.
POSTIMI I ZHDRELLËS
Të dashur miq. Çdo fillim e ka fundin e vetë, edhe karrierës time si futbollist i erdhi fundi. Ndihem jashtëzakonisht i lumtur sepse kam arritur ëndrrën time për të luajtur sportin që dua. Ai më dha disa nga momentet më të mira të jetës sime, më ka dhuruar shumë kënaqësi dhe suksese.
Ndjej kënaqësi të jashtëzakonshme kur kthej kokën mbrapa dhe shikoj atë çfarë kam bërë në futboll në këto 20 vite të kaluara, ku kam bërë shoqëri fantastike dhe shumë trofe të fituara si dhe suksese individuale të arritura.
Dua të falënderoj të gjithë ata që kanë qenë pjesë e karrierës sime, të gjithë trajnerët, klubet ku kam luajtur, të gjithë bashkëlojtarët, fansat, anëtarët e familjes dhe miqtë.
Jam gjithmonë mirënjohës klubit të 2 Korrikut, aty ku fillova ta jetësoj ëndrrën. Po ashtu e paharruar në memorien time do të mbetet epoka që kam kaluar me Prishtinën, Hysin, Dritën, Feronikelin, Llapin, Dukagjinin e Kekun si dhe kulminacioni i krenarisë që ishte fanella e kombëtares së Kosovës.
Me respekt, Mentor Zhdrella.
