La Liga

Rekordi i Zidane, 100 ndeshje e 7 trofe me Realin

Në Itali Insigne feston 100 golat në karrierë, në Spanjë festa shkon për “galaktikun” Zinedine Zidane, që po ashtu shënon 100 takime në stolin e Realit të Madridit. Konfirmimi se vula e tij është ajo e suksesit erdhi edhe në fitoren 2-1 në derbin e vogël me Getafen, viktima e radhës ndaj madhështisë së klubit mbretëror, që kishte për autor të golave sulmuesit Benzema dhe Cristiano e Ronaldo. Tashmë shkon në 13 numri i fitoreve radhazi në ndeshjet jashtë dhe në historinë e La Ligas duket se askush nuk ka bërë më mirë, madje as Barcelona e Guardiolës. Nën drejtimin e francezit Reali nisi të shkruante faqe te reja suksesesh në histori. Në sezonin 2016 -2017, “galaktikët” shënuan një rekord të ri spanjoll me 40 gara radhazi pa asnjë humbje. Janë plot 19 muaj bashkëpunim mes Zidane dhe Realit, muaj entuziastë me 75 fitore, 17 barazime dhe vetëm 8 humbje. Në historinë e trajnerëve të “Los Blancos” me pothuajse 100 ndeshje në stol askush më parë nuk ka regjistruar një numër kaq të ulët humbjesh. E nëse është e vërtetë ajo që thuhet se jo gjithmonë shifrat mund të shfaqin staturën e një profesionisti, të paktën të ndihmojnë t’i kuptosh disa vlera. Këtë e vërteton edhe palmaresi i mbushur plot me trofe, duke filluar me dy Superkupa të Europës, një trofe në La Liga, trofeun e Botërorit për Klube, Superkupën e Spanjës dhe dy Champions League. 7 trofe të fituar në pak më shumë se një vit e gjysmë, një për cdo tre muaj. Në stolin e Realit, Zidane ka barazuar që tani sukseset e Del Bosques. Koha është aleat i tij dhe i premton rekorde të tjera. Tashmë Florentino Perez e ka blinduar deri në vitin 2021.

To Top