Revolucion tek Arsenali, klub që për herë të parë në histori do të ketë një drejtor sportiv. Edu Gaspar, i cili mbante postin e drejtorit teknik të Topçinjve prej verës së vitit 2019, është emëruar drejtori sportiv i klubit londinez.
44-vjeçari brazilian ka punuar më parë si koordinator teknik në kombëtaren e Brazilit dhe këshilltar te kombëtarja e Iranit, ndërkohë që karrierën si drejtues futbolli e nisi te Corinthians.
“Jemi të lumtur të njoftojmë se Edu Gaspar është emëruar si Drejtori ynë i parë Sportiv”, lexohet në komunikatën zyrtare të Arsenalit, që kryeson Premier League me pesë pikë mbi Manchester City, ndërkohë që Gaspar deklaroi:
“Jam i kënaqur për rolin e ri, të cilin e shoh si një evolucion dhe konsolidim të mënyrës se si ne kemi punuar. Ne po bëjmë përparim të mirë në të gjitha fushat: tek ekipi i meshkujve, femrave dhe akademia. Të gjithë jemi të emocionuar për atë që mund të arrijmë në të ardhmen”.
