U ul në pankinën e Feyenoord më 30 tetor të vitit të kaluar për të zëvendësuar të dorëhequrin Jaap Stam, pas disa rezultateve negative radhazi, por tekniku 73-vjeçar holandez Dick Advocaat ia doli të rikthejë skuadrën në rrugën e mbarë shumë shpejt.
Ndonëse në Europa League nuk ia dolën të kualifikohen, pasi arritën të grumbullojnë vetëm 5 pikë, në kampionat të besuarit e Advocaat kanë bërë mjaft mirë dhe në momentin e ndërprerjes së futbollit renditeshin në vendin e tretë me 50 pikë, vetëm 6 më pak se Ajaxi kryesues.
Pikërisht për shkak të ecurisë së mirë të skuadrës dhe klimës së mirë që Advocaat ka arritur të krijojë në ekipi, drejtuesit e skuadrës nga Roterdami e kanë konfirmuar teknikun 73-vjeçar edhe për sezonin e ardhshëm në pankinë.
Lajmi është dhënë nga vetë klubi i Feyenoord mbrëmjen e djeshme në faqen zyrtare, ku ndër të tjera ka sqaruar se Advocaat do të jetë trajner i skuadrës edhe për sezonin 2020-2021, ndërsa skuadra do të provojë rikthimin te titulli kampion.
Dick Advocaat është një trajner me eksperiencë thuajse 40-vjeçare, që gjatë karrierës së tij ka drejtuar plot 3 herë kombëtaren e Holandës, Belgjikën, Serbinë, Rusinë e klube si PSV, Fenerbahce, Rangers, etj.