Connect with us

Hi, what are you looking for?

Lajme

Riaftësimi i Chris Froome, synon Turin e Francës edicionin e ardhshëm

 

Pjesëmarrja në edicionin e ardhshëm të Turit të Francës përbën edhe objektivin e vetëm të çiklistit britanik, Chris Froome, që siç dihet është duke u riaftësuar pas përplasjes së rëndë që 4 herë kampioni i “Grande Boucle” pësoi gjatë edicionit të sivjetshëm të Criterium du Dauphine.

Më 12 qershor 34-vjeçari u dëmtua rëndë në qafë, në pjesën e femurit, në bërryl, ije si dhe pësoi thyerjen e disa brinjëve, teksa goditi një mur, me një shpejtësi që llogaritet 54 km/h. Në mungesë të veteranit Chris Froome çiklisti tjetër i skuadrës “Ineos”, Egan Bernal, triumfoi në Champs – Elysees, dhe 22-vjecari kolumbian u bë i pari çiklist latino – amerikan që fiton në aktivitetin më të rëndësishëm të këtij sporti, por gjithashtu Bernal u bë edhe ciklisti më i ri në moshë në plot 110 vjetësh, që ia del mbanë për të shënuar emrin në listën e lavdishme të Turit të Francës.

E pra, Bernal, për shkak të talentit të tij, bashkë me uellsianin Geraint Thomas, që ishte njëherësh edhe kampioni në fuqi, u përzgjodhën nga drejtuesit e skuadrës “Ineos”, pra ish-ekipi i Sky-t, për të udhëhequr skuadrën dhe për të sulmuar titullin e sivjetshëm, por natyrisht gjërat do të ishin krejt ndryshe nëse nuk do të ishte dëmtuar Froome, që ka fituar plot 4 nga 7 edicionet e fundit të Turit.

Froome foli për herë të parë pas përplasjes së rëndë në juglindje të Francës dhe përcolli lajmin e mirë që mori nga kirurgu që bëri edhe ndërhyrjen kirurgjikale, për një riaftësim të plotë të mundshëm. Ky ishte praktikisht edhe lajmi më i mirë që mund të merrte çiklisti britanik dhe Froome pranoi se që nga komunikimi me doktorin gjithçka për të po shkon në rrugë të mbarë. 34-vjeçari rrëfeu se ka qenë me shumë shumë fat që shpëtoi me aq, pasi gjërat mund të ishin akoma më serioze, për vetë dinamikën e përplasjes, por gjithsesi tani për të fillon një tjetër etapë, për të nisur fazën e rehabilitimit, me synimin për t’u rreshtuar në vijën e nisjes për edicionin e ardhshmë të Turit të Francës.

Froome, që ishte në kërkim të suksesit të pestë në Grande Boucle, u dëmtua teksa po praktikohej në itinerarin e etapës së katërt në Dauphine, pikërisht në momentin që hoqi njërën dorë nga timoni i biçikletës, me qëllim pastrimin e flegrave të hundës, veprim që solli për pasojë edhe atë përplasje të fortë me shpejtësi tepër të lartë me njërin nga muret ndanë rrugës.

Froome kujton momentin e parë, kur gjendej i shtrirë përtokë dhe mbërritjen e trajnerit Tim Kerrison, mekanikut Garry Blem si dhe drejtorit Servais Knaven, grup që po i qëndronte ngjitur nga prapa me makinë, gjatë fazës stërvitore dhe instiktivisht pyetja e tij ishte nëse mund të ngjitej sërish në biçikletë dhe të rifillonte menjëherë pedalimin, ndërsa shqetësimi tjetër i tij ishte nëse do të ishte në gjendje për të marrë pjesë në Tour.

Chris Froome shpjegoi se në mënyrë kategorike miqtë e tij ia bënë të qartë faktin që nuk do të mund të shkoja asgjëkundi dhe ishte pikërisht ai çast aty kur edhe Froome u ndërgjegjësua për herë të parë për faktin që nuk do të mund të merrte pjesë në edicionin e sivjetshëm të ngjarjes më të rëndësishme çiklistike të sezonit.

Çiklisti britanik shtoi se në ato momente iu duk vetja si në pjesët e serialit të famshëm Grey’s Anatomy, ndërsa më pas të pranishmit e ndihmuan për t’u ngjitur në helikopter. Pas transportimit për në Spitalin e Saint Etienne-t mjekët i bënë të qartë shkallën e rëndë të dëmtimeve, duke e përgatitur në njëfarë mënyre paraprakisht për një periudhë shkëputjeje prej minimalisht 6 muajsh nga ky sport.

Tani që kanë kaluar afërsisht dy muaj nga ajo përplasje Chris Froome e ka marrë veten, madje ka filluar edhe ngritjen e peshave, duke respektuar një program të detajuar si dhe një regjim të caktuar, ku përfshihen edhe 3-4 orë në ditë seanca fizioterapie dhe deri dy orë në ditë ushtrime të ndryshme fizike, por sidoqoftë 34-vjeçari përfundoi fjalën e tij duke konfirmuar mesazhet e shumta që i kanë ardhur në spital, shtëpi apo dhe pranë skuadrës, mesazhe që sigurisht e motivojnë akoma më shumë çiklistin e famshëm britanik për t’u rikthyer po aq i fortë sa edhe më parë.

Lajme të tjera

Kombëtare

Nga Stokholmi në Madrid. Trajneri Sylvinho nuk humb kohë aspak dhe fill pas miqësores Suedi-Shqipëri, ka fluturuar drejt kryeqytetit spanjoll për të ndjekur live...

Kombëtare

Armando Broja do të jetë zgjedhja e parë për Europianin. Mendon kështu gazetari dhe komentatori i mirënjohur, Ylli Aga, që në emisionin “Kuqezi” në...

Champions League

Champions League do të nisë sezonin e ri me një formulë të re, teksa rrugëtimi do të startojë nga një grup i vetëm, me...

Kombëtare

Një humbje djeg gjithmonë edhe në miqësore, megjithatë ajo e Shqipërisë ndaj Suedisë mund të shihet me shumë nota pozitive. Të mposhtur me rezultatin...