Diego Costa është bërë zyrtarisht futbollist i Atletiko Madrid, pas largimit nga Chelsea, si i padëshiruar nga trajneri italian Conte. Për të njoftuar transferimin e brazilianit, që luan për kombëtaren spanjolle, është zgjedhur pikërisht dita e sotme, pasi në mbrëmje, Atletiko do të presë ish skuadrën e Diego Costës, Chelsea, në një takim të vlefshëm për Champions League.
Klubi spanjoll ka paguar rreth 60 milionë euro për të rikthyer sërish sulmuesin, por Simeone do të duhet të presë janarin për ta pasur në dispozicion, pasi merkato e Atletikos është akoma e bllokuar. Diego Costa u bë i famshëm pikërisht në ekipin e Simeones, ku luajti gjatë përiudhës 2010-2014 dhe në 96 ndeshje shënoi 43 gola.
Në këtë rikthim të dytë, Diego Costa ka zgjedhur të mbajë fanelën me numrin 18, pasi 19-a që ai preferon, mbahet momentalisht nga Lucas Hernandez. “Jam shumë I lumtur që u riktheva në shtëpi, sepse e kam thënë gjithmonë që Atletiko Madrid është shtëpia ime”, u shpreh Diego Costa pasi firmosi kontratën e re.
Në verën e 2014-ës, ai u transferua të Chelsea, ku mbajti peshën e sulmit për tre sezone, me 56 gola të shënuar në 89 takime. Gjithsesi kjo nuk mjaftoi për t’i ndryshuar mendjen Antonio Contes, që vendosi përfundimisht të përjashtojë sulmuesin nga ekipi, për t’i hapur rrugë transferimit të një tjetër sulmuesi të kombëtares spanjolle, Alvaro Moratës.
