Connect with us

Hi, what are you looking for?

Premier League

Rikthehet përballja Mourinho-Guardiola, Tottenham – Man City premton spektakël

Krejt ndryshe nga ç’ndodhi në startin e edicionit të kaluar nën drejtimin e Pochettino-s, këtë herë Tottenham Hotspur e ka filluar vërtet shumë mirë kampionatin anglez, madje pas tetë javëve të para, klubi londinez pozicionohet në vendin e dytë në klasifikimin e përgjithshëm të Premier League-s.

Për hir të së vërtetës, duke lënë mënjanë triumfin historik të muajit të kaluar brenda në “Teatrin e Ëndrrave” ndaj Manchester United, “gjelat” nuk kanë patur impenjime të vështira, kështu që ndeshja me Manchester City-n përfaqëson edhe provën e parë të vërtetë për ekipin e drejtuar nga trajneri Jose Mourinho.

Nëpër studiot televizive po shtohen gjithmonë e më shumë zërat, që e rendisin klubin e famshëm londinez mes kandidatëve të mundshëm për titullin, megjithatë trajneri portugez deri tani i ka zmbrapsur me elegancë të gjitha pyetjet rreth një diskutimi të tillë, duke këmbëngulur në faktin që Liverpool-i dhe Manchester City kanë krijuar vazhdimësi dhe qëndrojnë shumë më lart se “spurs”.

Vetë bookmakers-at nuk bëjnë gjë tjetër përveçse këmbejnë pozicionet e dy klubeve që kanë fituar trofeun më të lakmuar në ishull në këto tre sezonet e fundit, ndërsa ekipe si Chelsea apo Tottenham ata i rendisin shumë përpara pjesës tjetër, por gjithsesi respektivisht me koeficientët 9 e 10, pra duke i distancuar natyrshëm nga dyshja që po dominon futbollin anglez.

Në një kohë tjetër kjo sfidë do të përballohej ndryshe, ndërsa tani si Mourinho ashtu edhe Guardiola kanë probleme për të mbuluar pozicionet në fushë me zgjedhjet më të mira të mundshme. “Spurs” në këtë aspekt janë më të plotësuar, ndërsa trajneri katalanas në krahun tjetër përballet me probleme nga më të ndryshmet.

“Gjelat e Londrës” po rriten dhe sigurisht skuadra tani i përgjigjet më mirë skemave të trajnerit luzitan, sidoqoftë shenjat e qarta të progresit u vunë re që në muajin shtator, kur Tottenhami u përball me një kalendar vërtet shumë të ngjeshur. 57-vjeçari nga Setubali duket se zotëron aftësi të rralla dhe tepër të veçanta, teksa bindi Daniel Levy-n, që konsiderohet si një ndër presidentët më dorështrënguar në glob, për të zgjidhur qesen e parave, duke përforcuar ndjeshëm ekipin gjatë muajve të verës.

Në fakt gjithçka erdhi pas huasë prej plot 175 milionë stërlinash që mori 58-vjeçari nga Essex pesë muaj më parë nga Banka e Anglisë, me një interes fare minimal 0.5 %, për të mbuluar humbjet e mëdha që pësoi klubi, për shkak të pandemisë së koronavirusit, të cilat deri në muajin qershor llogariteshin në vlerën 200 milionë pound.

Për hir të së vërtetës “Tottenham Hotspur Stadium” ngjan me një vepër arti dhe tani impianti 62.000-vendësh konsiderohet si një ndër stadiumet më të bukur dhe më të veçantë në rruzull. Aty gjatë vitit 2020 ishin prenotuar koncerte nga Guns N’ Roses e Lady Gaga, ndërkohë që u anulua për shkak të virusit Covid – 19 edhe një ndeshje e madhe në regbinë me 15 lojtarë ndërmjet Saracens dhe Harlequins, apo dhe Ashes, testi i rivalitetit historik ndërmjet Anglisë dhe Australisë në regbinë me 13 lojtarë, pa harruar sfidën për titullin botëror të peshave të rënda Anthony Joshua – Kubrat Pulev, si dhe dy ndeshje të futbollit amerikan.

Pra në aspektin financiar bëhet fjalë për fitime marramendëse të munguara, por gjithsesi në fushë të paktën ekipi ka ndryshuar dhe ka fituar goxha stabilitet, e gjasat janë që klubi t’i japë fund periudhës së gjatë 13-vjeçare pa asnjë trofe. Përveç zonës Champions për të administruar në tabelën e renditjes në Premiership, Tottenham Hotspur nuk duhet të hasë shumë vështirësi për të kaluar fazën e grupeve në Europa League, ndërsa në Kupën e Ligës që të gjithë presin që “spurs” të kualifikohen pa probleme për në fazën gjysmëfinale të Carabao Cup, duke patur parasysh që goglat e kanë shortuar ekipin londinez në çerekfinale me klubin nga Championship-i Stoke City, ndonëse bëhet fjalë për një ndeshje teke në “Stoke – on – Trent”, ku kushtet atmosferike në fundin e muajit dhjetor janë gjithmonë shumë të vështira.

Të vetmen disfatë në kampionat “spurs” e kanë pësuar brenda në takimin me Evertonin, ndërsa më pas ekipi londinez humbi 4 pikë në mënyrë të çmendur, duke shkaktuar 11-metërsh në shtëpi në minutën e 96, kur kryesonte 1-0 ndaj Newcastle United, e po në Londër Tottenham-i shpërdoroi epërsinë e plot tre golave, duke pësuar tre herë pas minutës së 82-të në derbin e ndezur londinez me “çekanët” e West Ham-it, ku gjithsesi goli i Lanzini-t në sekondat e fundit të kohës shtesë u votua në masë të gjerë edhe si goli më i bukur i kampionatit anglez për muajin tetor.

E sigurt është që te vendasit do të mungojë mbrojtësi i djathtë, irlandezi Matt Doherty që është infektuar nga virusi Covid – 19, ndërsa në dyshim mbeten Lo Celso, Bergwijn, Lamela dhe Ndombele. Në krahun tjetër Pep Guardiola përjetoi startin më të dobët të mundshëm, por gjithsesi trajneri katalanas i dha fund spekulimeve për të ardhmen e tij, teksa rinovoi kontratën me “citizens”, duke shtyrë qëndrimin e tij në stolin e sky blues deri në mesin e vitit 2023.

Pavarësisht problemeve të shumta City përfaqëson ekipin që ka fituar titullin në 2 nga 3 edicionet e fundit të kampionatit anglez, për më tepër Guardiola ka një bilanc tepër pozitiv nga përballjet me Mourinho-n, megjithëse për hir të së vërtetës 49-vjeçari spanjoll ka drejtuar gjithmonë klube më të fortë dhe skuadra më të mira, krahasuar me ekipet që ka udhëhequr trajneri portugez gjatë së njëjtës periudhë kohe.

Treshja Gabriel Jesus – Sergio Aguero – Raheem Sterling e mbylli sezonin e kaluar me plot 50 gola në kampionat, megjithatë këtë radhë në Londër trajneri nga Santpedori mund të ketë përpara vetëm sulmuesin brazilian. Ake dhe Sterling u dëmtuan në impenjimet e tyre me skuadrat përfaqësuese dhe vazhdojnë të kenë probleme fizike, njësoj si edhe Sergio Aguero.

Fernandinho dhe Benjamin Mendy janë pranë riaftësimit të plotë, ndërsa Oleksandr Zinchenko të paktën rezultoi negativ, pas izolimit të kombëtares ukrainase në Austri. Ndeshja Tottenham – City do të luhet në Londër në orën 18:30 dhe do të drejtohet nga arbitri veteran, 52-vjeçari nga Merseyside Mike Dean, ndërkohë interesant është fakti që sky blues nuk fituan asnjë nga dy sfidat e edicionit të kaluar ndërmjet këtyre dy ekipeve.

Fillimisht me Pochettino-n “spurs” barazuan 2-2 në “Etihad”, ndërsa në fazën e dytë me Mourinho-n në timon “gjelat” triumfuan 2-0 në shtëpi, takim i gjykuar pikërisht nga kryesori Mike Dean, ku shënoi që në debutim Bergwdhe ku Ilkay Gundogan humbi një 11-metërsh pranë fundit të pjesës së parë, kur rezultati ishte i barabartë.

Lajme të tjera

Kombëtare

Nga Stokholmi në Madrid. Trajneri Sylvinho nuk humb kohë aspak dhe fill pas miqësores Suedi-Shqipëri, ka fluturuar drejt kryeqytetit spanjoll për të ndjekur live...

Legjionarët

Napoli i dashuruar me shqiptarët. Pas Amir Rrahmanit, që është shndërruar në një shtyllë të mbrojtjes, klubi napolitan synon të sjellë në “Diego Armando...

Kombëtare

Armando Broja do të jetë zgjedhja e parë për Europianin. Mendon kështu gazetari dhe komentatori i mirënjohur, Ylli Aga, që në emisionin “Kuqezi” në...

Kombëtare

Një humbje djeg gjithmonë edhe në miqësore, megjithatë ajo e Shqipërisë ndaj Suedisë mund të shihet me shumë nota pozitive. Të mposhtur me rezultatin...