Kategoria Superiore

Rinovime dhe afrime, Kastrioti përgatitet për Superligën

Kastrioti nuk kërkon të jetë kalimtar në Kategorinë Superiore. Skuadra krutane po synon të përforcohet në disa reparte për të qenë sa më konkurruese në një kampionat që është shumë më i vështirë se sa ai i Kategorisë së Parë.

Fokusi i drejtuesve në këto ditë të para të qershorit ka qenë rinovimi me ata lojtarë të cilët kontribuuan më shumë për rikthimin e skuadrës në elitën e futbollit shqiptar, më konkretisht Lila, Çutra, Emiliano Çela dhe Marku, megjithatë janë piketuar edhe objektivat në merkato.

Trajneri Elvis Plori, i cili para pak javësh morri drejtimin teknik të ekipit, e ka të qartë se çfarë futbollistësh do të kërkoj të ketë në dispozicion. Nuk do të përqendrohet vetëm në aspektin teknik, por edhe tek karakteri, pra do afrohen lojtarë që kërkojnë të ringrihen, pas një sezoni jo në maksimumin e mundshëm, futbollistë të etur për të treguar se vlejnë.

Në këtë mënyrë në sipërfaqe kanë dalë tre emra, Donald Rrapo i Luftëtarit, Argjend Malaj, i cili edicionin e kaluar ishte pjesë e Kamzës dhe Arsid Kruja i Teutes. I pari nuk zhvilloi ndoshta sezonin më të mirë në karrierë, ndërsa Malaj gjithashtu kaloi një edicion me luhatje edhe për shkak dëmtimesh, por mbetet një futbollist cilësor. Edhe Kruja prej vitesh po kërkon të rigjejë veten dhe ndoshta tek Kastrioti do të ishte ambienti i duhur për të treguar cilësitë e tij.

To Top