Trajneri i Tirana AS e pikasi një ditë dhe e ftoi të bëhej pjesë e ekipit. Duket se që nga ajo ditë, për Riseldën momentet e lumtura nuk kanë ndalur, që nga ftesa në Kombëtare e deri te kualifikimi me Vllazinë në grupet e Champions League.

Për rubrikën “Talenti Shqiptar” në fshf.org ajo tregon synimin parësor që ka, sakrificat që i janë dashur të bëjë, edhe pse e vogël si dhe i jep një mesazh të gjithë vajzave që luajnë futboll.

– Si lindi dëshira dhe pasioni për futboll?

– Në moshën 10-vjeçare kam filluar të luaj futboll në lagje. Çdo pasdite e kaloja kohën duke luajtur deri sa u bëra pjesë e ekipit të U-11 të djemve, në Laprakë. Pastaj kalova në ekipin e U-13 të djemve sërish në Laprakë derisa në moshën 14-vjeçare, më pikasi trajneri i Tirana AS dhe më ftoi të bëhesha pjesë e ekipit që ai drejtonte, për të cilën luajta katër sezone.

– Cili ishte njeriu i parë që të afroi me këtë sport dhe besoi te ti?

– Në përgjithësi, ne vajzat në Shqipëri jemi të lidhura shumë me babnë. Ai ka qenë shtysa ime më e madhe, që unë u bëra pjesë e futbollit. Besoj se pa mbështetjen e tij, unë do të isha duke e parë futbollin nga televizori sot.

– Si është marrëdhënia juaj me grupin dhe trajnerin?

– Qoftë në ekipin ku aktualisht luaj, qoftë edhe në kombëtare, personalisht kam një marrëdhënie të shkëlqyer si me grupin e vajzave, ashtu edhe me trajnerin. Mundohemi ta mbështesim njëra-tjetrën, sepse ndryshe nuk mund t’ia dalim.

– Si e përjetove momentin kur more ftesën e parë nga kombëtarja?

– Nuk mbaj mend moment më të lumtur në jetë sesa momenti kur më erdhi ftesa për të qenë pjesë e kombëtares shqiptare. Ka shumë vajza e djem që e kanë ende ëndërr, unë po e jetoj dhe nuk ka emocion më të madh se të luash me atë fanellë. Emocion, kënaqësi, por nga ana tjetër, edhe shumë përgjegjësi.

– I rishikon ndeshjet e tua pasi luan? Dhe nëse po, çfarë i thua vetes?

– Ndeshjet i rishikojmë gjithmonë me ekipin dhe analizojmë gabimet dhe mundohemi gjithmonë të përmirësojmë. Vllaznia vërtetë është kampione e futbollit për femra, për shtatë vite radhazi, por kjo nuk do të thotë që jemi të pagabueshëm. Ndonjëherë mërzitem sepse bëj gabime amatoreske, por mundohem t’i korrigjoj në ndeshjen e radhës.

– Cili ka qenë momenti apo episodi më i lumtur në karrierën tënde deri tani?

– Vllaznia e femrave ka bërë atë që asnjë ekip shqiptar, nga meshkujt dhe femrat, nuk e kanë bërë deri më sot: kualifikimin në Champions League. Arritje e madhe, emocione të papërshkruara, moment kulminant jo vetëm për karrierën time, por për të gjithë ekipin e Vllaznisë. Ende më mbushen sytë me lot nga gëzimi!

– Cila është sakrifica më e madhe që ke bërë për futbollin?

– Që në moshën 16-vjeçare jam detyruar të mos jem më aq afër me familjen sa më parë. Stërvitja dhe ndeshjet më kanë detyruar të shkëputem nga ata derisa tani, jetoj vetëm në Shkodër. Të qëndrosh larg familjes nuk është diçka e thjeshtë, por, pa sakrifikuar diçka, e di që nuk mund të fitoj gjë.

– Çfarë synimi ke për të ardhmen?

– Normalisht që çdo lojtar ëndërron e shpreson të luajë në nivelet më të larta në të ardhmen, por për momentin jam e fokusuar te Vllaznia, kemi Ligën e Kampionëve përpara dhe vetëm atë kam në mendje!

– Cila është këshilla më e vyer që ke marrë dhe nga kush?

– Këshilla më e vyer që kam marrë ka qenë nga mami: “Gjatë jetës njeriu merr shumë eksperienca, të mira dhe të këqija, sido që të jenë, në fund çdo eksperiencë na vlen, prandaj nuk duhet të mërzitemi apo dorëzohemi, por duhet të vazhdojmë përpara!”

– Cili është idhulli yt në kombëtaren ideale?

Odise Roshi, lojtari që më frymëzon dhe që më pëlqen tej mase. Ka shpejtësinë dhe di se ku ta dërgojë topin kur është në fushën e lojës.

– Çfarë mesazhi i jep vajzave që i thuhet se futbolli është vetëm për djem?

– Futbolli është i bukur, sepse është për të gjithë! Nëse vërtetë e duan futbollin, duhet të dëgjojnë zemrën dhe jo njerëzit!