Shpërblimi i veçantë për rinovim, 2023 qebapë për Boateng

Kevin-Prince Boateng ka rinovuar kontratën me klubin e Hertha Berlin. Kryeqytetasit ia dolën në Play-Out të qëndronin pjesë e Bundesligës edhe për sezonin e ardhshëm e në këtë formë, mesfushori mbetet pjesë e skuadrës të paktën deri në qershor të vitit 2023.
Ndërkohë, për ta bërë sa më të veçantë rinovimin, 35-vjeçari ka menduar të dhurojë për tifozët edhe 2023 (si viti në kontratën e re) qebapë falas nga kioska në pronësinë e tij që ndodhet para stadiumit të Herthas. Në këtë formë, në ndeshjen e parë shtëpiake të sezonit të cilën Hertha e luan ndaj Eintracht Frankfurt, tifozët nga Berlini do t’i presë edhe një dhuratë e veçantë nga lojtari i tyre.
Në sezonin e ri, Boateng do të provojë të ruajë një ritëm më konstant nga viti i shkuar të cilin e mbylli me vetëm 18 ndeshje dhe pa asnjë gol. Megjithatë, duket se edhe për ish-futbollistin e Milan, vitet kanë nisur të ndjehen dhe tashmë, Boateng vlerësohet për rolin e liderit jashtë fushës së blertë.
