Tenis

“Rogers Cup”, eliminohet Djokovic, “ok” Nadal, ikin Sharapova dhe Williams

Nuk kanë të ndalur surprizat në “Rogers Cup” të Torontos. Pas eliminimit të Fabio Fogninit, Novak Djokovic u mund nga Stefanos Tsitsipas me rezultatin 2-1 me sete (6-3 6-7 6-3). Serbi, i cili vinte nga fitorja e turneut të Wimbledonit dhe që në të kaluarën kishte triumfuar 4 herë në tokën kanadeze, pësoi shumë nga loja agresive dhe efikasiteti në gjuajtje të tenistit grek, që në raundin e dytë kishte mundur austriakun Thiem, numrin 7 në botë. Një surprizë tjetër ishte dhe humbja e numrit 9 në botë, John Isner, kundër rusit Khachanov, 7-6 7-6. Nuk kishin probleme për t’u kualifikuar Grigor Dimitrov, Sascha Zverev e Kevin Anderson. Ky i fundit ishte gjithashtu finalist në Wimbledon dhe në raundin e 1/8-ave mundi bjellorusin Ivashka në 1 orë e 30 minuta. Fitore dhe për Rafael Nadal. Spanjolli kaloi disi me vështirësi zvicëranin Wawrinka 2-0 me sete,  7-6 7-6, e në çerekfinale do të ndeshet kundër kroatit Marin Cilic, numri i 7 në botë.

Surpriza pati edhe te femrat me eliminimin e disa emrave të rëndësishëm si Maria Sharapova, që u mund 2-0 nga francezja Caroline Garcia. E mbyll edhe Venus Williams, që u mund 2-0 nga numri 1 në botë, tenistja rumune, Simona Halep (6-2, 6-2). Tenistja daneze, Caroline Wozniacki, u mposht 2-1 (5-7, 6-2, 7-6) nga Aryna Sabalenka.

 

To Top