Connect with us

Hi, what are you looking for?

Conference League

Roma-Feyenoord në “Air Albania”, FSHF zbulon agjendën e aktiviteteve në ditën e finales

Kur kanë mbetur vetëm 14 ditë nga finalja e madhe e UEFA Conference League që do të zhvillohet në vendin tonë, e gjithë vëmendja e opinionit europian e botëror është kthyer nga Tirana. Stadiumi “Air Albania” do të presë për herë të parë një finale europiane, teksa i gjithë qyteti është vënë tashmë në dispozicion të kësaj ndeshje historike, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për vetë UEFA-n, pasi kjo është hera e parë që ky kompeticion zhvillohet. Drejtori i Marketingut në FSHF, Gazmend Malo flet për rrugëtimin e gjatë të FSHF-së për të organizuar një event të tillë.

“Ka qenë një lobim i gjatë ndër vite. Ka filluar me idenë e të mësuarit të praktikave për të aplikuar teknikisht për këtë gjë. Për një event të tillë, duhen garantuar shumë gjëra të cilat në radhë të parë nuk varen vetëm nga ty. Është një sistem shumë i gjerë, që do të thotë se stadiumi është vetëm maja e ajsbergut që ne lexojmë për një aktivitet sportiv, por duhet shqyrtuar edhe pjesa tjetër si aeroporti, transporti, hoteleritë etj.

Në Tiranë do të vijnë dy ekipe të mëdha europiane, ka rreth 3 muaj që flitet në mënyrë intensive dhe logo “Tirana 2022” është në mbarë botën, duke iu bërë një PR unik kryeqytetit, me kosto zero. ‘Beteja’ burokratike me dosjet që duheshin dorëzuar ka qenë shumë e gjatë. Edhe FSHF nuk e ka pasur të lehtë. Por duhet falënderuar edhe Presidenti Duka, i cili duke qenë anëtar i Komitetit Ekzekutiv në UEFA ka një peshë fjale që e ka shfrytëzuar”, thotë Malo ndërsa flet edhe për ndryshimet që po pëson stadiumi “Air Albania” si dhe aeroportin që pritet të presë më 24 dhe 25 maj rreth 90.000 tifozë nga Italia e Holanda.

Vetë stadiumi që është pika kryesore po bëhen 4-5 ndryshime të mëdha vetëm për ta mundësuar këtë aktivitet. Së pari, është zgjeruar tribuna e medies, pasi vetë eventi kërkon një numër të madh mediesh. Në tribunat e miqve do të reduktohet numri i tifozëve për shkak të studiove televizive për këtë event. Do të shtohen dy ekrane gjigante në stadium si dhe do të krijohen dy shkallë në tribunën kryesore për të zbritur në fushë. Sa i përket aeroportit, është dhënë një garanci e pakushtëzuar për të përballuar fluksin e asaj dite, pasi do të ketë një numër të madh fluturimesh”, vijon Malo.

I gjithë ky event kaq madhështor duhet organizuar në detaje dhe Gazmend Malo zbulon të gjithë aktivitetet që do të organizohen në kryeqytet, që nga brandimi i qytetit, tek ardhja e trofeut dhe mbrëmja gala që do të zhvillohet te Teatri i Operas dhe Baletit si dhe pikat e takimit të tifozëve “Organizimi i eventit është i detajuar, që nga brandimi dhe zbukurimi i qytetit duke nisur nga aeroporti. Pra, në ato data, çdokush që do të vijë në Shqipëri do ta kuptojë që këtu jemi në vendin e kësaj finaleje të madhe, me brandimin dhe logon e këtij kompeticioni, me sponsorët e UEFA-s etj.

Rruga kryesore e hyrjes në Tiranë që është Rruga e Durrësit do të ketë sinjalistika për ekipet ku do të shkojnë dhe orientimet e rastit. Sheshi ‘Skënderbej’ do të ketë një organizim të veçantë, i quajtur “Fan Fest”, dhe ku të gjithë njerëzit mund të hyjnë dhe ku do të ketë lojëra futbolli për të gjithë. Futbolli do të jetë “tema e ditës” për të gjithë. Do të vijë trofeu i vërtetë, i ruajtur me security maksimal dhe të gjithë njerëzit mund të vijnë të bëjnë foto, por nuk mund ta prekin.

Bulevardi do të bëhet jeshil dhe nga ana vizive do të perceptohet që ky është kryeqyteti ku ky event i madh do të mbahet. Përveç sheshit “Skënderbej” ka edhe dy pika ku do të organizohen dy tifozeritë e klubeve që do të vijnë në Tiranë, të quajtura “Fan Meeting Point”. Secila tifozeri ka grupimet e veta dhe është menduar edhe se si do të drejtohen për të shkuar në pikat e tyre të takimit, përmes ekraneve, tabelave drejtuese. Një pikë do të jetë te Pedonalja në Tiranë, ndërsa pika tjetër e takimit do të jetë te diga e liqenit. Janë dy pika të afërta me stadiumin.

Do të ketë darkë gala sa i përket protokollit zyrtar të ndeshjes. Kjo darkë do të zhvillohet në Teatrin e Operas dhe Baletit, në një lloj skenografie të rrallë që nuk është bërë kurrë në Shqipëri. Darka do të zhvillohet në skenë, ku do të jenë drejtuesit më të lartë të UEFA-s dhe Federatës, kryeministri, kryetari i Bashkisë etj. Përveç protokollit që përfshin shkëmbimin e dhuratave, do të ketë edhe një shfaqje të përgatitur për miqtë”, tregon Malo.

Mbi 2100 forca sigurie dhe 400 vullnetarë që do të kenë funksione të ndryshme në këtë event historik do të angazhohen në finalen e 25 majit. “Ka pasur disa trajnime të forcave të sigurisë që do të jenë brenda perimetrit të stadiumit dhe do të ketë 650 stewardë minimumi që do të jenë në stadium. ndërsa jashtë stadiumit do të ketë të paktën 1500 forca policore që do të garantojë rendin në çdo gjë që mund të ndodhë jashtë. Pra mbi 2100 forca që do të garantojnë sigurinë e kësaj finaleje.  Gjithashtu, do të ketë të paktën 400 vullnetarë që do të jenë forca ndihmuese në nivel orientimi, suporti të njerëzve që do të jenë për këtë aktivitet”, përfundoi Malo.

Lajme të tjera

Champions League

Paris Saint Germain u mposht 2-3 në përballjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Barcelonës në “parkun e Princave”, megjithatë trajneri Luis...

Serie A

Momente frike gjatë Udinese-Roma, ndeshje ku Evan Ndicka u rrëzua në fushë në minutën e 69-të pasi u ndje keq. Mbrojtësi nga Bregu i...

Champions League

Manchester City dështoi te penalltitë përballë Realit të Madridit, duke i thënë lamtumirë Champions League. Rrugëtimi i kampionëve në fuqi u mbyll në çerekfinale,...

Lajme

Një thashethem i bujshëm po mbush mediat rozë në Itali, teksa këtë herë protagonistë janë mesfushori amerikan i Juventusit, Weston McKennie dhe motra e...