Luciano Spalletti do të rikthehet në Olimpico teksa fati e deshi që shumë shpejt, që në javën e dytë të jetë kundërshtar i verdhekuqve. Tek Roma ka nisur një epokë e re, pasi për herë të parë tifozët duhet të mësohen pa idhullin e tyre, kapitenin legjendar Francesco Totti që pritet të jetë në tribunë në rolin e drejtuesit. Sigurisht që Totti dhe Spalleti nuk u ndanë në mënyrën më të mirë të mundshme, por që të dy kanë dhënë shumë për fanellën e Romës. Me Spallettin në krye verdhekuqtë ishin një makinë golash edicionin e kaluar, duke regjistruar sulmin e dytë më të mirë me 90 realizime, 4 më pak sesa Napoli. Shumë larg ishte Juventusi por mbi të gjitha edhe Interi, që në fund të edicionit të shkuar arriti kuotën e 72 golave, pavarëisht se në formacion ishte kapiteni Mauro Icardi, autor i 24 rrjetave në kampionat.
Sezoni i ri ka nisur ndryshe, me Romën që iu fal vetëm një perle të Kolarov në sfidën hapëse në Bergamo ndaj Atalantës, ndërkohë që zikaltërit e nisën me klas sezonin, duke shënuar plot 3 herë në portën e Fiorentinës. Nuk është cudi një ecuri e tillë edhe pse është e vështirë të bëhen konstatime që në javën e parë. Por tashmë është e ditur që Spalleti është një trajner i cili pëlqen futbollin e bukur, futboll me të cilin Roma është personifikuar prej vitesh. Për këtë arsye, pavarësisht polemikave që mund të ketë patur midis tij dhe Tottit, rikthimi në Olimpico mbetet i vecantë, për më shumë kur bën të ditur se nga verdhekuqtë duhet mësuar se si mund të bëhesh një skuadër e madhe. Roma-Inter është një sfidë e rëndësishme e futbollit italian, por të shtunën në mbrëmje ka dicka speciale në të. Totti – Spalleti vijon të jetë kryefjala.
