Connect with us

Hi, what are you looking for?

Futboll

Ronaldinho, gjeniu i futbollit që e la veten të binte në “ferr”

Të flasësh për Ronaldinho Gauchon është si të flasësh për një gjeni. Karriera e brazilianit si futbollist është ajo e një njeriu që i kishte të gjitha. Ai ishte në gjendje të mbretëronte për shumë vite, por për të futbolli, megjithëse ishte dashuria e tij e madhe, nuk ishte gjithçka në jetë. Kjo e pengoi që të krijonte një cikël hegjemonik si lojtarët e tjerë të mëdhenj të kohës. Mbretërimi i tij zgjati vetëm dy ose tre  vjet, por çfarë vitesh ishin!

Kur Joan Laporta e bleu në vitin 2003, si “galaktikun” e kandidaturës së tij për president, e dinte shumë mirë se çfarë lojtari po merrte. Ronaldinho tashmë e kishte fituar reputacionin e një lojtari spektakolar në Paris. Luis Fernández, trajneri që e kishte nën urdhrat e tij te PSG, zbuloi në kujtimet e tij se ai ishte një lojtar me pak disiplinë taktike dhe me një tendencë për t’u dhënë pas qejfit: “Merrte femra në shtëpi dhe gjatë grumbullimeve”.

Kjo mënyrë jetese nuk e pengoi atë të bëhej më i miri në botë gjatë kohës së tij në Barcelonë. Të dy kishin nevojë për njëri-tjetrin. Barça ishte në mes të rindërtimit. Pas vitesh depresioni në “Camp Nou”, Gaucho ndriçoi e “Camp Noun” (dhe La Ligan) me buzëqeshjen e tij, me magjinë e tij.

Debutimi i tij mund të shërbente si një metaforë e mrekullueshme për atë që do të ishte koha e tij te Barça: Futboll dhe festë. Braziliani do të debutonte si “blaugrana” në të famshmen “Nata e Gazpachos”. Një ndeshje e La Ligës, në “Camp Nou”, kundër Sevillas, që u luajt deri në agim. Atje, në mes të gjithë këtij argëtimi dhe surrealizmi, Dinho tregoi versionin e tij më të mirë. Ai i prezantoi kredencialet e tij me një gol të paharrueshëm.

Ronaldinho, magji e pastër

Në vitet e para si lojtar i Barcelonës, mënyra e jetesës së tij jashtë fushës nuk ishtë problem. Ai ishte më i miri në fushë dhe trajtohej ndyshe nga të tjerët. Pasi fitoi Ligën e Kampionëve në vitin 2006, filloi rënia. Gjysma e Barcelonës e kishte parë atë në një festë. Më pas i duhej të mbulonte fytyrën me një maskë. Videot e Ronit duke u dëfryer nëpër disko ishin rendi i ditës. Filloi të bëhej problem edhe me mungesat e tij në stërvitje.

Erdhi një moment kur ata që i kishin mbuluar veprimet e tij, nuk e bënë më. Duhet të ketë qenë Pep Guardiola ai që mori vendimin ta largonte Ronnie-n nga Barça. Gaucho, i cili shërbente si kumbari i Messit në dhomën e zhveshjes, gjithashtu mund të ndikonte për keq tek ai që do të bëhej më i miri në botë. Tek ai (Messi) që ishte i vetmi në dhomat e zhveshjes që mund ta mposhtte me magjitë në fushë.

Rënia

Largimi nga Barcelona ishte një pikë kthese për Ronaldinhon, megjithëse rënia e tij kishte filluar tashmë disa vjet më parë. Në dallim nga sulmuesit e tjerë të mëdhenj, ai nuk i kishte merak paratë. Nuk kursente asgjë, festat që organizonte mund të zgjatnin disa ditë. Pas gjithë atij gëzim, ishte një njeri që rrëzohej shpejt. Në një Krishtlindje, kur dikush shkoi ta uronte në shtëpi, e gjeti krejtësisht të vetëm, me askënd.

Përvoja e tij në futbollin italian dhe brazilian nuk ishte aq e lavdishme sa koha e tij te Barça. Për më tepër, problemet sportive ishin më pak të tolerueshme, sepse nuk e ndryshoi jetën e tij. Një natë, në një disko të Milanos, një grup tifozësh e morën dhe e detyruan të shkonte në shtëpi. Ajo ngjarje, disa ditë para një derbi me Interin, që kuqeznjtë e humbën, ishte pika që mbushi gotën.

Rrënimi

Barcelona u përpoq ta rikuperonte figurën e tij. Klubi e emëroi atë si ambasador, por kjo përvojë rezultoi një dështim. Ditën kur ai duhej të ishte në “Camp Nou” për detyrën e tij të parë, ai qëndroi duke luajtur futboll në plazhin e Castelldefels.

Pastaj erdhi mbështetja e tij publike për ultra të djathtin Jair Bolsonaro, problemet e tij me sistemin e drejtësisë braziliane, që e gjobiti për vepra të paligjshme. Dinho deklaroi se nuk kishte para dhe se në bankë i kishin mbetur vetëm gjashtë euro. Drejtësia nuk e besoi kurrë dhe e konsideroi një mashtrim për të shmangur bllokimin e llogarive bankare.

Në atë rast, ai shpëtoi nga burgu, por kësaj radhe ai nuk pati sukses. Ronaldinho dhe vëllai i tij janë në paraburgim ​​në Paraguai për falsifikim të pasaportave. Sipas ligjit të këtij vendi, ish-lojtari duhet të gjykohet në më pak se gjashtë muaj. Ndërkohë, ai i kalon ditët në një burg të quajtur “El Cuadrilátero”, i njohur për strehimin e baronëve të drogës dhe politikanëve të korruptuar.

Avokati i tij thotë se Ronnie është në këtë situatë prej “budallallëkut të tij”, por është e vështirë të besohet se një etiketim i tillë mund të përdoret për të përcaktuar një djalë si ai. Më mirë të themi ai ishte një gjeni që rrënoi veten.

 

 

Lajme të tjera

Futboll

Skuadra e Mechelen, e drejtuar nga Besnik Hasi, rikthehet tek fitorja në kampionat belg në play off-in e grupit të Conference League. Pas humbjes...

Futboll

Fernando Santos nuk është më trajner i Beshiktashit, ka bërë të ditur klubi nga Stambolli këtë të shtunë. Vendimi u mor pas barazimit (1-1)...

Kosovë

Gafë e pafalshme e Arijanet Muric në Premier League. Portieri titullar i Kosovës, pjesë e Burnleyt në kampionatin më të bukur në botë, i...

Champions League

Paris Saint Germain u mposht 2-3 në përballjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Barcelonës në “parkun e Princave”, megjithatë trajneri Luis...