Connect with us

Hi, what are you looking for?

Nations League

Ronaldo apo Shaqiri? Gjysmëfinalja e parë premton shkëndija

Starton në Portugali faza finale e edicionit hapës të Kupës së Kombeve, aktivitet që do të zhvillohet në vendin luzitan nga data 5 deri më 9 qershor. Ndeshjet do të luhen në dy qytete, Porto dhe Guimaraes, dhe në fazën përmbyllëse të këtij kompeticion, siç dihet, janë kualifikuar katër skuadrat përfaqësuese që fituan grupet respektive në sfidat eliminatore të Divizionit A, pra pikërisht Holanda, Zvicra, Portugalia dhe Anglia. Këto katër ekipe kombëtare do të përballen sipas formatit të njohur, me fazë me eliminim të drejtpërdrejtë.

Fillimisht do të luhen dy ndeshjet gjysmëfinale, më pas sfida për vendin e tretë dhe të katërt dhe, në fund, takimi final, që do të përcaktojë edhe vendin fitues të këtij edicioni të parë të UEFA Nations League.

Në këtë aktivitet do të përdoren si sistemi që monitoron vijën e portës, pra goal-line technology, ashtu edhe sistemi VAR (video assistant referee). Nëse koha e rregullt do të mbyllet në barazim, do të shkohet në shtesë, ku ekipet do të kenë gjithashtu edhe nga një tjetër zëvendësim në dispozicion, e sigurisht, nëse do të nevojiten, do të gjuhen edhe 11-metërshat.

Shorti bëri ndarjen përfundimtare dhe dueli që do të çelë sfidat gjysmëfinale është Portugali – Zvicër. Këto dy skuadra përfaqësuese qëndrojnë pranë e pranë edhe në klasifikimin e përgjithshëm të FIFA-s, me Portugalinë që pozicionohet në vendin e shtatë, një pozicion më lart dhe me vetëm tre pikë më shumë sesa kombëtarja helvete.

Skuadra luzitane e mbylli aventurën në fazën hapëse në vendin e parë të Grupit 8, duke lënë prapa Italinë dhe Poloninë, ndërsa ekipi helvet, në krahun tjetër, bëri mrekullinë, duke përmbysur disavantazhin e dy golave në Lucernë ndaj Belgjikës, në një takim ku “Djajve të Kuq” iu mjaftonte edhe një disfatë me shifra minimale.

Në radhët e Zvicrës është golashënuesi më i mirë i këtij Divizioni Haris Seferovic, me 5 gola, ndërkaq te vendasit spikat Andre Silva me 3 gola. Natyrisht vendasit kanë avantazhin e faktorit fushë, por mbi të gjitha do të rikthehet për të veshur fanellën e përfaqësueses pikërisht kapiteni dhe golashënuesi më i mirë i kombëtares portugeze, Cristiano Ronaldo, që numëron plot 85 gola për skuadrën luzitane dhe do të bëjë debutimin në UEFA Nations League.

Cristiano nuk shënon me përfaqësuesen prej një viti, që nga botërori i fundit, kur CR7 realizoi golin e fitores ndaj Marokut. Mungesën e tij sigurisht që e ka vuajtur edhe skuadra e drejtuar nga veterani Fernando Santos, pasi Portugali paraqitet në duelin me Zvicrën pas katër barazimeve në katër ndeshjet e fundit në të gjithë kompeticionet.

Kurioz është fakti që vendasit janë kalitur me barazime, pasi me një ecuri të tillë përfaqësuesja luzitane u shpall Kampione e Evropës, sepse, siç dihet, tre vjet më pare, në Francë, në kohën e rregullt Portugalia barazoi 6 nga 7 ndeshjet e luajtura. Kombëtarja helvete, në krahun tjetër, në fund të muajit mars çoi dëm në mënyrë të pabesueshme epërsinë e tre golave ndaj Danimarkës, që u shënoi vendasve plot tri herë pas 84′, për më tepër brenda në “St. Jakob-Park”.

Dy përballjet e fundit ndërmjet tyre janë fituar me të njëjtat shifra 2-0 në shtëpi, duke respektuar faktorin fushë, në sfidat eliminatore për “Rusi 2018”, gjithsesi, të vetmin sukses në tokën luzitane në ndeshje zyrtare përfaqësuesja helvete e ka regjistruar plot gjysmë shekulli më parë, kur Zvicra triumfoi më 16 prill të vitit 1969 brenda në Lisbonë me rezultatin 2-0.

Zvicra ka bilanc pozitiv në përballjet ndërmjet tyre, teksa ka fituar 10 dhe humbur 7 nga 22 ndeshjet e zhvilluara. Ndeshja do të luhet në stadiumin “Dragao” të Portos, në orën 20:45, nën drejtimin e kryesorit gjerman, Felix Brych, dhe natyrisht gjithë të apasionuarit do të kenë mundësi për ta ndjekur gjysmëfinalen e parë të Kupës së Kombeve Portugali – Zvicër, drejtpërsëdrejti në Supersport 2.

Lajme të tjera

Futboll

Skuadra e Mechelen, e drejtuar nga Besnik Hasi, rikthehet tek fitorja në kampionat belg në play off-in e grupit të Conference League. Pas humbjes...

Premier League

Armando Broja mund të përdoret nga Chelsea për të balancuar financat, duke u nxjerrë në shitje. Blutë kanë shpenzuar shuma marramendëse në sesionet e...

La Liga

Që kur Xavi Hernandez njoftoi se do të largohej nga Barcelona në fund të sezonit, gjërat kanë filluar të shkojnë më mirë te “Blaugrana”....

Futboll

Fernando Santos nuk është më trajner i Beshiktashit, ka bërë të ditur klubi nga Stambolli këtë të shtunë. Vendimi u mor pas barazimit (1-1)...