Rotacioni i Ernesto Valverdes nuk funksionon. Barcelona u mposht 2-0 nga Sevilla në Ramon Sanchez Pizjuan në ndeshjen e parë të raundit çerekfinal të Kupës së Mbretit, duke vendosur në diskutim të madh, kualifikimin për më tej. Me shumë pak titullarë në formacionin ku spikasin Pique, Lenglet apo Rakitic e Arthur, skuadra blaugrana nuk i bëri dot ballë furisë Sevilla. Andaluzianët e kishin vlerësuar më shumë këtë sfidë dhe arritën të merrnin një fitore të pastër dhe të rëndësishme që i avantazhon për të kaluar turin. Sarabia në minutën e 58-të dhe francezi Ben Yedder në të 76-ën ishin autorët e golave për Sevillan që tashmë shikon më afër gjysmëfinalet e Kupës së Mbretit. Asnjë sinjal pozitiv ndërkohë nga afrimi më i fundit i Barcelonës, Kevin Prince Boateng i cili e nisi sfidën si titullar por u largua nga fusha pas 63 minutash lojë duke mos lënë shenjë.
